Von der Leyen do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, do t’i vizitojë javën e ardhshme gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, për të shprehur përkushtimin e saj dhe të komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt Bashkimit Evropian.
Von der Leyen, e cila në verë u rizgjodh për një mandat të ri pesëvjeçar, ka paralajmëruar se procesin e zgjerimit e ka ndër prioritetet kryesore dhe për këtë e ka caktuar një komisionare, e cila do të merret vetëm me zgjerimin e bllokut.
Von der Leyen do ta nisë turneun e saj në rajon të mërkurën, më 23 tetor, me ndalesën e parë Shqipërinë, ku do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Ajo do të marrë pjesë edhe në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.
Më 24 tetor, ajo do të shkojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit, dhe do të shpreh gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar në përballje me pasojat.
Në Serbi, Von der Leyen do të qëndrojë më 25 tetor, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Von der Leyen do të udhëtojë pastaj për vizitë në Kosovë të shtunën e 26 tetorit, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi të shtunën në Podgoricë.
Sipas paralajmërimeve nga KE-ja, gjatë vizitës në rajon Von der Leyen do të përqendrohet më së shumti në ndihmën që BE-ja po u jep vendeve të rajonit për përshpejtimin e reformave dhe përgatitjeve për përparim më të shpejtë në procesin e integrimeve evropiane.
Vetëm disa ditë pas vizitës së saj, Komisioni Evropian do t’i miratojë dhe publikojë paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e përfshira në këtë proces.
Fokusin e veçantë Von der Leyen do të ketë në paketën e BE-së për rritje dhe reforma në Ballkanin Perëndimor, e cila parasheh ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për këto vende.
Të premten e kaluar, BE-ja i miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes.
Kosova, e cila aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat./REL