Bota

Gjermania dyshon se dy kabllo nënujore iu këputën qëllimshëm

Shpërndaje

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka thënë se dëmtimi i dy kabllove nënujore në Detin Baltik duket si akt sabotimi dhe “veprim hibrid”, pa e ditur se kush është fajtori.

Kabllot e komunikimeve në mes të Finlandës dhe Gjermanisë – të gjata 1.170 kilometra – janë këputur në orët e para të së hënës, derisa një lidhje interneti në mes të Lituanisë dhe ishullit Oland të Suedisë, ka pushuar së punuari të dielën.

Këto incidente kanë ndodhur në kohën e rritjes së tensioneve me Rusinë, dhe Pistorius ka thënë se “askush nuk beson se këto kabllo janë kuptuar aksidentalisht”.

Një seri incidentesh që kanë të bëjnë me tubacionet në Baltik, kanë rritur shqetësimet për sabotim, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Gjermania dhe Finlanda kanë thënë se janë “thellësisht të shqetësuara” nga këputja e kabllove të komunikimit, duke shtuar se siguria e Evropës është e kërcënuar nga lufta e Rusisë, “por edhe nga lufta hibride prej aktorëve të këqij”.

Telekomi finlandez dhe kompania për siguri kiberbetike Cinia, kanë thënë se kabllot mund të jenë këputur nga “një forcë e jashtme”. Këto gjëra nuk ndodhin në këta ujëra pa një faktor të jashtëm, ka thënë një zëdhënës për mediat lokale.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Cinia ka thënë se dëmi është kryer afër ishullit Oland të Suedisë dhe që punimet për riparim mund të zgjasin 15 ditë.

Akti më i madh i sabotimit, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, ka ndodhur në Baltik të njëjtin vit.

Prokurorët gjermanë janë duke kryer ende hetime për shpërthimin në gazsjellësit të Rrjedhës Veriore, përmes të cilit është bartur gazi rus në Gjermani.

Ekzistojnë teori të ndryshme konspirative se kush ka qenë mbrapa sulmit, duke përmendur palën ukrainase ose ruse.

Në tetor të vitit 2023, një tubacion i gazit natyror në mes të Finlandës dhe Estonisë është dëmtuar keq.

Zyrtarët finlandezë patën thënë më vonë se incidenti mund të jetë shkaktuar nga një anije kineze që ka tërhequr spirancën./REL