Harris apo Trump: Dalin sondazhet e fundit 3 ditë para zgjedhjeve
Në 7 shtetet e lëkundur, zëvendëspresidentja demokrate dhe ish-presidenti republikan ndahen me shumë pak pikë përqindjeje, shpesh me presje dhjetore. Rruga më e thjeshtë për Trump kalon nga Jugu, ajo e Harris kalon nga Veriu industrial, por të dy kanë nevojë për Pensilvaninë.
Kanë mbetur edhe 3 ditë deri në zgjedhjet presidenciale amerikane më 5 nëntor, edhe pse 65 milionë njerëz kanë votuar tashmë. Kjo shifër që i jep pak më shumë shpresë kandidates demokrate Kamala Harris, duke qenë se sondazhet besojnë se ajo është një hap para kandidatit republikan Donald Trump. Në nivel kombëtar, zëvendëspresidentja ka një diferencë minimale, 1% sipas mesatares së sondazheve të New York Times, por ajo që ka rëndësi janë 7 shtetet e lëkundur që kanë 93 vota elektorale. Në Michigan dhe Wisconsin, Harris është përpara me më pak se 1%, në Pensilvani dhe Nevada, Trump është përpara me më pak se 1%, por ish-presidenti ka një avantazh me 1% në Karolinën e Veriut, 2% në Xhorxhia dhe 3% në Arizona. Në këtë mënyrë Trump do të fitonte, por të gjitha shtetet janë brenda kufirit të gabimit dhe Pensilvania do të mjaftonte për të përmbysur rezultatin.
Sipas mesatares së sondazheve të FiveThirtyEight, një faqe me trend progresiv, Trump është vazhdimisht përpara në Karolinën e Veriut (1.3%), Xhorxhia (1.5%) dhe Arizona (2.1%). Ditët e fundit ai ka kaluar rivalen e tij edhe në Nevada (+0.4%) ndërsa ka humbur terren në Pensilvani ku ish-presidenti tashmë është përpara me vetëm 0.1% që është e barabartë me një barazim. Harris, nga ana tjetër, ruan epërsinë e saj në Michigan (+1%) dhe është forcuar në Wisconsin, ku arriti +0.8%. Në këtë mënyrë Trump do të fitonte, por ai 0.1% në Pensilvani lë një shteg të hapur.
Të dhënat janë gjithashtu të ngjashme edhe për RealClearPolitics, një faqe e afërt me konservatorët që përpilon një mesatare të besueshme të sondazheve. Trump është përpara me 2.6% në Xhorxhia, 2.3% në Arizona, 1.5% në Karolinën e Veriut dhe Nevada dhe me 0.4% në Pensilvani. Harris ka një diferencë prej 0.8% në Michigan dhe 0.3% në Wisconsin. Përsëri, ish-presidenti do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë pasi ka diferenca pak më të mira, por ende është brenda kufirit të gabimit. Zëvendëspresidentes do t’i duhej vetëm të kthente Pensilvaninë në anën e saj për t’u bërë gruaja e parë që do të udhëheqë Shtetet e Bashkuara.
Çështja e Pensilvanisë është më e dukshme, por jo domosdoshmërisht do të jetë ajo që do të vendosë zgjedhjet. Sondazhi i fundit i publikuar nga Washington Post dhe i kryer midis 1204 votuesve “të mundshëm” ose atyre që kanë votuar tashmë midis 26 dhe 30 tetor sugjeron se 48% do të votonin Harris, 47% do të zgjidhnin Trump. Me pak fjalë, edhe në këtë rast është një barazim i qartë që lë të paqartë se nga do të shkojnë 19 votat e tij elektorale. Sondazhet e publikuara në këtë shtet javën e fundit japin të gjitha llojet e indikacioneve. Trump është përpara me 1% sipas Atlas Intel, Fox News dhe Insider Advantage, 2% për Rasmussen Report ndërsa Harris është përpara me 1% për Washington Post dhe 2% për Marist ndërsa UsaToday/Suffolk i nxjerr barazim.
Ndjesia, 72 orë para ditës së fundit të votimit është se Trump është pak përpara, dhe se rruga e tij kalon përmes atij që quhet “Brezit të Diellit” me Arizonën, Nevadën, Xhorxhian dhe Karolinën e Veriut, por ai ka nevojë edhe për një fitore në Pensilvani. Pas valës së entuziazmit të krijuar nga kandidatura e saj e papritur në vend të Joe Biden, Harris ka humbur terren dhe për të fituar asaj i duhen 3 shtetet e “Rripit të ndryshkut” të traditës industriale dhe demokrate, Michigan, Wisconsin dhe Pennsylvania.
Këto 3 shtete përbëjnë “Murin Blu” të demokratëve që rrallëherë i ka kthyer shpinën, por në vitin 2016 ata i dhanë një fitore befasuese Trumpit me 77 mijë vota më shumë se Hillary Clinton. Në atë kohë dështuan edhe sondazhet. Në 30 vitet e fundit, të 3 shtetet kanë votuar vetëm 1 herë për kandidatin republikan për president. Të gjithë ata kishin zgjedhur më parë Ronald Reagan, ndërsa Pensilvania dhe Michigan votuan për George W. Bush në 1988.
Ato zgjedhje të vitit 2016 shënuan edhe dështimin e sondazheve, të cilat nuk arritën të lexonin valën Trumpiane. Për të shmangur nënvlerësimin për Trump, këtë vit institutet e sondazheve kanë rregulluar llogaritjet e tyre, megjithatë rrezikojnë ta mbivlerësojnë atë, sipas kritikëve.
“A mund t’u besojmë sondazheve?”, – pyet kryeanalisti politik i New York Times Nate Cohn, “duke pasur parasysh se ata e nënvlerësuan Trumpin si në 2016, ashtu edhe në 2020 (kur humbi, por mori 4 pikë. më shumë se sa pritej dhe më shumë vota se çdo president ka marrë ndonjëherë). Përgjigjja e thjeshtë është “JO” tho9të vetë ai. Nuk mund ta marrim si të mirëqenë se kushdo që del përpara në sondazhe do ta fitojë atë shtet. Nuk janë matje të sakta dhe zgjedhjet janë aq të ngushta sa mbeten të vështira për t’u parashikuar.
Dy kandidatët nisin nga një numër i ngjashëm votash elektorale të marra si të mirëqenë: 225 Kamala Harris, 220 Donald Trump. Këtyre u duhen shtuar edhe 93 votat elektorale të caktuara nga “shtetet e lëkundur” për të arritur pragun e 270 votave të nevojshme për të fituar. Nuk përjashtohet mundësia as e daljes barazim.
Në këtë rast, vota e Dhomës do të vendoste më pas: çdo delegacion shtetëror do të kishte një votë të përgjithshme, pavarësisht nga numri i banorëve të shtetit. Republikanët kontrollojnë 26, demokratët 22 dhe 2 janë asnjanës. Edhe në këtë rast mund të themi se Trump është përpara. ©LAPSI.al