Konsultimet për datën e zgjedhjeve parlamentare 2025, Begaj nis takimet me partitë e vogla
Presidenti Bajram Begaj nis konsultimet me partitë politike parlamentare për të caktuar datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat do të zhvillohen në vitin 2025.
Takimet me partitë do të mbahen këtë të mërkurë në zyrën e Presidentit, në kuadër të procesit për shpalljen e dekretit të datës së zgjedhjeve.
Konsultimet do të nisin me përfaqësuesit e katër partive të vogla: Partisë Republikane (PR), Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK).
Ndërkohë të enjten, Presidenti do të takohet me përfaqësues të Partisë së Lirisë (PL). Takimet me dy partitë më të mëdha, Partinë Socialiste (PS) dhe Partinë Demokratike (PD), janë parashikuar për të hënën e ardhshme, më 2 dhjetor.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, më konkretisht neni 92, pika “gj”, është Presidenti ai që e cakton datën e zgjedhjeve parlamentare, të cilat duhet të zhvillohen brenda periudhës 15 prill deri më 15 maj të vitit 2025.
/rtsh.al/