Kosova miraton buxhetin për vitin 2025
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim buxhetin për vitin 2025.
Në një seancë që zgjati për disa orë me radhë, deputetët me shumicë votash miratuan buxhetin në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh, të cilin Qeveria e Kosovës paraprakisht e kishte miratuar më 30 tetor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tha se ky buxhet është rreth 9% më i lartë se sa buxheti i vitit 2024 ose 60% më i lartë se sa buxheti i vitit 2020.
Sipas Kurtit, prioritet mbetet zhvillimi ekonomik, vazhdimi i krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritja e mirëqenies për të gjithë, derisa për vitin e ardhshëm nënvizoi se pritjet janë që rritja ekonomike të arrijë në 5.6 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Megjithatë, deputetë të opozitës e kanë parë me skepticizëm buxhetin duke drejtuar kritika drejt Qeverisë gjatë seancës.