Kurti pranon raportin 1-vjeçar të Institutit të Krimeve të Luftës: 67 burime nga është grumbulluar materiali e dokumentacioni
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ku u mirëprit nga Drejtori Ekzekutiv Atdhe Hetemi, i cili ia dorëzoi raportin 1-vjeçar të punës së Institutit.
Kurti bashkë me ministrat Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu dhe nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, të shoqëruar nga drejtori Hetemi, vizituan edhe depon arkivore të IKKL-së.
“Unë sot erdha bashkë më ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila vet është e mbijetuar e masakrës së familjes Bogujevci, Duriqi e Xhemshiti në Podujevë dhe me këtë rast pash se si po ruhen materialet, planet për digjitalizimin e këtyre materialeve dhe dokumenteve, ku gjithsej, nëse do t’i rendisnim si foldera në këmbë, do të bëhej një seri e tyre e gjatë 189 metra apo e thënë ndryshe 15.8 tera bajt. Pra, 15.8 tera bajt informacion është grumbulluar gjatë këtyre nëntë muajve, ku bëjnë pjesë videoxhirime, audioxhirime, fotografi dhe gjithashtu tekste të ndryshme në një gjatësi pra 189 metra të këtyre folderëve po të renditeshin në këmbë, e të cilët mbahen të sigurt këtu”, ka thënë Kurti.
Kurti bëri të ditur se janë 67 burime prej nga është grumbulluar materiali e dokumentacioni.
“Janë 67 burime gjithsej nga është grumbulluar materiali e dokumentacioni. Këtu bëjnë pjesë ministritë, bëjnë pjesë komunat, organizatat jo qeveritare, gazetarët, aktivistët e të drejtave të njeriut, por edhe koleksionist të ndryshëm, të cilët kanë dorëzuar materialet e tyre në institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Është punë jetike dhe vendimtare si për historinë tonë ashtu edhe për drejtësinë për neve meqenëse në njërën anë ne e kuptojmë të vërtetën historike në përmasën e saktë mes këtyre dokumenteve ndërkaq në anën tjetër gjithashtu edhe ky paraqet një vend adresë shumë të rëndësishme për drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare në mënyrë që viktimat të rehabilitohen, të zhdëmtohen sepse drejtësia e munguar është padrejtësi e vazhduar.”
“Edhe një herë faleminderit shumë drejtor edhe shpresoj që gjithnjë e më shumë qytetarë të cilët kanë koleksionet e tyre të dokumentacionit dhe të materialëve e dëshmive të ndryshme, për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të vijnë në këtë adresë dhe i falënderoj të gjithë ata duke të cilët po i ruajnë ato dokumente e materiale sepse është një punë e vlefshme që e bëjnë për shtetin e Kosovës. Gjithashtu falënderoj edhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës që në regjistrimin e fundit të popullsisë e ka vendosur edhe pyetjen për dëmet vuajtjet dhe humbjet që i kanë përjetuar qytetarët tanë gjatë luftës dhe falënderoj edhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës që në bashkëpunim me institutin kanë kontribuar në këtë rezultat i cili sot mu dha në formën e raportit 1-vjeçar”, tha Kurti.