Rama kritikon liderët botërorë: Fjalët e mira për klimën nuk ndryshojnë asgjë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar liderët botërorë se fjalët e mira nuk kontribuojnë në luftimin e ndryshimeve klimatike, porse duhen marrë veprime kuptimplota e të përbashkëta.
Rama po merr pjesë në samitin për klimën “Cop29”, i cili po mbahet për ditën e tretë me radhë në Baku të Azerbajxhanit, shkruan The Guardian.
“Njerëzit hanë, pinë, takohen dhe fotografohen së bashku – ndërsa fotot e liderëve pa zë luhen vazhdimisht në sfond. Për mua, kjo më duket saktësisht si ajo që ndodh në botën reale çdo ditë. Jeta vazhdon, me zakonet e vjetra dhe fjalimet tona. Plot fjalë të mira për luftimin e ndryshimeve klimatike nuk ndryshojnë asgjë”, ka thënë Rama.
Kryeministri shqiptar vuri në dukje deklaratën e djeshme të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili ka thënë se emetimet e karbonit vazhdojnë të rriten.
“Çfarë do të thotë për të ardhmen e botës nëse ndotësit më të mëdhenj vazhdojnë si zakonisht? Çfarë do të bëjmë ne në këtë mbledhje, pa pushim, nëse nuk ka vullnet të përbashkët politik në horizont për të shkuar përtej fjalëve dhe për t’u bashkuar për veprime kuptimplota?”, u shpreh Rama.
Në samitin në Baku ka pasur kritika pasi shtetet nuk po bëjnë sa duhet për të luftuar ndryshimet klimate.
Megjithatë, Britania e Madhe ngjalli shpresë, kur të martën (dje) u zotua se do t’i ulë emetimet me 81 për qind deri në vitin 2035, një lëvizje që u mirëprit gjerësisht në Baku.