MaqedoniTop Lajme

“Reformat në gjyqësor”, Mickoski i bindur se ka 2/3 e votave në Kuvend

Shpërndaje

Kryeministri Hristijan Micksoki paralajmëroi që prej javës së ardhshme do të nisë procesi i konsultimeve dhe praktikisht reformave në Këshillin Gjyqësor. Gjatë seancës së djeshme të pyetjeve të deputetëve në Kuvend, kryeministri tha se pjesë e konsultimeve do të jetë një ekspert polak i financuar nga Bashkimi Evropian, por që nuk ia zbuloi identitetin, ndërkaq në bisedime do të marrin pjesë edhe përfaqësues të kabinetit të tij.

“Vetëm se gjatë javës së ardhshme do të kemi fillim të procesit pasi që deri më tani, më vjen keq që nuk arritëm të marrim propozime më konstruktive, gjegjësisht të marrim, çfarëdo propozimesh. Kështu, prej javës së ardhshme në një koordinim më të gjerë edhe me ministrin e Çështjeve Evropiane, ministrin e Punëve të Brendshme, Drejtësi e kështu me radhë, dhe të tjerët që kanë pjesë e këtij procesi”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Plotësisht, Mickoski tha se është i bindur se do të siguronte shumicë të dyfishtë në Kuvend, për të miratuar ndryshimet ligjore për reformim të Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve.

“Jam i bindur se të gjithë deputetët në Kuvend do të votojnë për një reformë të tillë, që rekomandohet nga Bashkimi Evropian”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Megjithatë, kryeministri nuk shpjegoi se cili është plani konkret për reformimin e këtyre dy institucioneve të pavarura gjyqësore. Bashkimi Evropian, ashtu sikur edhe ekspertët e brendshëm, e hodhën poshtë idenë e shpërbërjes së këtyre trupave, ashtu siç paralajmëronte Mickoski, pasi që kjo do të nënkuptonte ndërhyrje direkte e ekzekutivit në gjyqësor.

Komisioni Evropian, në raportin e progresit madje shprehu shqetësim për këtë ide.

“Njoftimet e qeverisë së re për planet për “shpërbërjen” e Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorisë janë një shqetësim serioz, pasi veprime të tilla do të cenonin pavarësinë e gjyqësorit. Rritja e deficitit të burimeve njerëzore në gjyqësor ngre shqetësime për ndikimin në cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë”, thuhet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Në vend të kësaj, Komisioni Evropian rekomandon që të rishikohet kuadri legjislativ me qëllim që të rritet transparenca dhe pavarësia e Këshillit Gjyqësor, në përputhje me rekomandimit e Misionit Vlerësues të BE-së. /Alsat.mk