Bota

Ushtria libaneze njofton se ka filluar të marrë misione në jug të Libanit pas armëpushimit

Shpërndaje

Ushtria libaneze njoftoi se filloi të marrë misionet e saj në jug të Libanit, një ditë pas marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë ushtarake thuhet se njësitë e ushtrisë filluan të marrin përsipër misionet e tyre në jug, rajonin Bekaa dhe Bejrutin jugor, përfshirë ngritjen e pikave të kontrollit, hapjen e rrugëve dhe shpërthimin e municioneve të pashpërthyera.

“Këto misione janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ushtrisë për të mbajtur ritmin me lëvizjen e njerëzve të zhvendosur, për t’i ndihmuar ata të kthehen në fshatrat dhe qytetet e tyre dhe të ruajnë sigurinë e tyre”, shtohet në deklaratë.

Ushtria tha se këto misione vijnë teksa vendosja e forcave të saj po rritet në jug të lumit Litani. Një marrëveshje armëpushimi midis Libanit dhe Izraelit hyri në fuqi dje për t’u dhënë fund luftimeve 14 mujore midis ushtrisë izraelite dhe grupit Hezbollah.

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheqë forcat e tij në jug të “Vijës së Kaltër”, kufirit “de facto”, në disa faza, teksa ushtria libaneze do të vendosë forcat e saj në jug të Libanit brenda një periudhe që nuk i kalon 60 ditë.

Zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga SHBA-ja dhe Franca, por detajet mbi mekanizmat e zbatimit mbeten të paqarta. Sipas autoriteteve libaneze, më shumë se 3.800 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Liban dhe mbi një milion janë zhvendosur që nga tetori i vitit të kaluar.