Zelensky thotë se Trump mund t’i jep fund më herët luftës me Rusinë
Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky deklaroi se administrata e presidentit të sapo zgjedhur amerikan Donald Trump mund të ndihmojë në përfundimin e luftës kundër Rusinë më shpejt, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Ukrinform.
Ai në një intervistë për shërbimin publik Suspilne ka folur mbi raportet ndërmjet Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, duke iu referuar bisedimeve të mëparshme me Trump për zgjidhjen e konfliktit.
“Ai (Trump) dëgjoi bazën mbi të cilën ne qëndrojmë. Unë nuk dëgjova asgjë kundër qëndrimit tonë,” tha ai.
I pyetur nëse Trump kërkoi nga Ukraina të hyjë në negociata me Rusinë, Zelensky tha: “Jemi shtet i pavarur dhe gjatë kësaj lufte, unë personalisht dhe njerëzit tanë, po negociojmë me SHBA, edhe me Trump, edhe me Biden, si dhe liderët evropianë, dhe kemi dëshmuar se retorika ‘ulu dhe dëgjo’ nuk funksionon te ne”.
Presidenti i Ukrainës tha se ai besonte se nën udhëheqjen e Trump “lufta do të përfundojë më herët.”
“Është shumë e rëndësishme të kemi paqe, në mënyrë që të mos ndiejmë se kemi humbur njerëzit më të mirë për shkak të padrejtësisë që na është imponuar. Lufta do të përfundojë, por nuk ka datë të saktë. Gjithsesi, me politikën e ekipit që tani do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë, lufta do të përfundojë më herët. Kjo është qasja dhe premtimi i tyre për publikun e tyre, dhe është shumë e rëndësishme edhe për ata,” tha Zelensky.
Ndryshe, Trump shpesh ka vënë në dyshim mbështetjen e SHBA-së për Kievin zyrtar, duke thënë se ai mund t’i jepte fund luftës “për një ditë pasi të zgjidhet president”.