Analiza e VOA-s: Rusia humbet aleatin kryesor në Lindje të Mesme
Sundimtari i rrëzuar sirian Bashar al-Assad iku në Moskë pasi u arratis nga Damasku të dielën, ku i është dhënë azil politik.
Kremlini ishte një nga mbështetësit kryesorë të Assadit në përpjekjet brutale të qeverisë së tij për të mposhtur rebelët. Disa ditë më parë roli i Moskës në Siri dukej i palëkundur, por tani, sipas ekspertëve, Kremlini do ta ketë të vështirë të rifitojë terrenin e humbur.
Flamuri i opozitës siriane u ngrit të hënën në ambasadën e Sirisë në Moskë, një tregues se Rusia ka humbur një aleat kyç në Lindjen e Mesme dhe se tani duhet të rimendojë strategjinë dhe aleancat e saj në rajon.
Kremlini i dha azil udhëheqësit të rrëzuar sirian dhe familjes së tij dhe bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar këtë çështje.
Për Moskën, rënia e Asadit është një goditje e rëndë.
“Ndërhyrja e Moskës në Siri ishte një mënyrë për të treguar se ajo është një fuqi botërore dhe e aftë për të ndikuar jashtë fqinjëve të saj të afërt. Pra, sa i përket ndikimeve gjeopolitike, kjo tregon se Rusia është më pak e fuqishme nga sa do të donte të shihej në pjesën tjetër të botës”, thotë Kate Johnston nga Qendra për një Siguri të Re Amerikane.
Moska është përfshirë në luftën e Sirisë që nga viti 2015 për të mbështetur Assadin, duke investuar burime dhe jetët e ushtarëve rusë, që tani mund të cilësohet si një investim i dështuar.
Analistët thonë se janë të tjerët ata që do të përfitojnë nga rënia e Assadit pas luftës civile 13-vjeçare të Sirisë.
“Fituesi i madh këtu është Turqia. Erdogani është shumë i kënaqur, Trumpi ka sugjeruar se do të largojë ushtarët amerikanë nga Siria. Ndikimi i Turqisë në atë vend bëhet më i rëndësishëm. Pra, vlera e Erdoganit dhe Turqisë rritet, ndërsa e Rusisë bie”, thotë Mark Hannah nga Instituti për Çështjet Globale.
Zyrtarët e Kremlinit thanë se janë në kontakt me autoritetet e reja, duke lënë të kuptohet se Moska dëshiron të arrijë një marrëveshje për të ruajtuar praninë e saj në Siri.
Por, roli i Moskës në shtypjen e popullit sirian nga Assadi mund të jetë një kujtim i vështirë për t’u harruar.
“Ne pamë Rusinë duke bombarduar spitale, shkolla, duke mbështetur Assadin në bombardimin e popullsisë, duke mbështetur atë kur përdori armë kimike. Kështu që, nuk mendoj se ndonjë qeveri e ardhshme, cilado qoftë përbërja e saj, mund të harrojë papritur mizoritë që Rusia shkaktoi mbi popullsinë civile”, thotë Neil Quilliam nga organizata ‘Chatham House’.
Deri para një muaji për shumë ishte e paimagjinueshme rënia e shpejtë e qeverisë dhe shkatërrimi i një strukture pushteti, duke krijuar një peizazh të ri që tani për tani është i paqartë. /VOA