Arabia Saudite kishte kërkuar ekstradimin e të dyshuarit për sulmin në Gjermani
Një burim i afërt me qeverinë saudite i ka thënë Agence France-Presse (AFP) se autoritetet saudite kishin kërkuar ekstradimin e të dyshuarit kryesor në sulmin e së premtes në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani, pasi agjenci të shumta pranuan se kishin marrë paralajmërime për të.
Burimi ka thënë se Arabia Saudite e kishte paralajmëruar Gjermaninë “shumë herë” për Taleb al-Abdulmohsen, një qytetar saudit me një histori të përhapjes së propagandës anti-islamike në mediat sociale. Ai nuk ka shpjeguar se në çfarë mënyre ai konsiderohej potencialisht i rrezikshëm.
“Kishte një kërkesë (ekstradimi)”, ka thënë burimi për AFP-në, pa dhënë arsyen e kërkesës, duke shtuar se Riadi kishte paralajmëruar se ai “mund të ishte i rrezikshëm”.
Në Gjermani po shtohen pyetjet nëse sulmi i së premtes në Magdeburg, i cili vrau pesë persona, mund të ishte i parandalueshëm.
Kanë dalë raportime për gabime në siguri, vendime të dyshimta imigracioni dhe përpjekje të policisë për t’u përballur me 50-vjeçarin për sjellje kërcënuese që dyshohet se nuk janë ndjekur.
Abdulmohsen, një mjek psikiatër, po mbahet në paraburgim policor me dyshimin për vrasje, tentativë vrasje dhe lëndim të rëndë trupor.
Katër gra dhe një djalë nëntë vjeçar u vranë në sulmin, kur një Mercedes SUV i zi hyri 400 metra në turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjeve në qendër të Magdeburgut, në Gjermaninë lindore.
Më shumë se 230 persona kanë mbetur të plagosur në sulmin tre minutësh, 41 prej të cilëve vazhdojnë të jenë në gjendje kritike.