ASK: Kosova ka 1 milion e 602 mijë e 515 banorë
Agjencia e Statistikave ka publikuar rezultatet parapërfundimtare të regjistrimit të popullsisë. Bazuar në to, Kosova ka 1,602,515 banorë. Ky proces, i realizuar pas më shumë se një dekade, për herë të parë përfshiu edhe dëmet e luftës. Bazuar në të, të vrarë janë 11 mijë e 417 qytetarë, të zhdukur 1 mijë e 47, të plagosur 6 mijë e 682, të burgosur 3 mijë e 312, kurse 154 mijë e 272 është numri i ekonomive familjare të prekura.
Të dhënat përfundimtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave (ASK) tregojnë se rreth 150 mijë banorë ka më pak Kosova krahasuar me regjistrimin e vitit 2011.
Sipas këtyre rezultateve, Kosova ka 1,602,515 banorë.
Ndërsa struktura etnike mbetet kryesisht e pandryshuar: 91.76 për qind e popullsisë janë shqiptarë, 2.31 për qind serbë dhe në përqindje më të ulët, boshnjakë, turq, romë, ashkalinj dhe egjiptianë.
Struktura fetare e Kosovës dominohet nga besimi islam, ndërsa komunitetet ortodokse dhe katolike përfaqësojnë grupet më të mëdha të minoriteteve fetare.
Gjatë prezantimit të të dhënave, kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë e këtyre rezultateve për hartimin e politikave që adresojnë nevojat reale të qytetarëve të Kosovës.
“Të dhënat na ndihmojnë të planifikojmë me saktësi në fushat jetësore si shëndetësia e arsimi, transporti e infrastruktura. Ato përfaqësojnë bazën për të hartuar dhe zhvilluar politika, të cilat i adresojnë nevojat reale të qytetarëve të Republikës. Me këto të dhëna, ne mund të formulojmë strategji të qëndrueshme për zhvillim ekonomik dhe social, duke siguruar që investimet tona të jenë efikase dhe të sjellin dobi afatgjata”, ka thënë kryeministri Kurti. “Regjistrimi na jep mjetet për të bërë parashikime shumë më të sakta mbi rritjen e popullsisë, migracionin dhe sfidat që lidhen me ndryshimet demografike. Këto parashikime janë të domosdoshme për të ndërmarrë masa paraprake dhe për t’i minimizuar rreziqet”.
Ai ka theksuar se regjistrimi ndjek standardet e Eurostat-it dhe të Kombeve të Bashkuara, si dhe forcon pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Të dhënat tona tani krahasohen dhe harmonizohen me ato të vendeve të tjera, duke na mundësuar të tregohemi si një partner i besueshëm në bashkëpunimin rajonal dhe global”, ka thënë Kurti. “Ky proces, i realizuar plotësisht në format digjital, shënon një përparim të madh për Kosovën. Përmes teknologjisë, ne kemi siguruar që të dhënat të jenë të sakta, të plota dhe të mbledhura me shpejtësi e efikasitet. Teknologjia ka ndihmuar të minimizojmë gabimet dhe të krijojmë një bazë të besueshme për të gjitha proceset vendimmarrëse”.
Në këtë proces, për herë të parë janë regjistruar edhe dëmet e luftës.
Sipas ushtruesit të detyrës së kryeshefit të ASK-së, Avni Kastrati, dëmet materiale të luftës janë vlerësuar me mbi 5 miliardë euro.
“Gjithsej ekonomitë familjare të prekura janë 154 mijë e 272, që nënkupton gati më shumë se gjysma e ekonomive familjare janë të prekura nga lufta. Të vrarë 11 mijë e 417, po flas vetëm për periudhën 11 shkurt 1998 deri 11 qershor 1999. Të zhdukur 1 mijë e 47, të plagosur 6 mijë e 682, të burgosur 3 mijë e 312 dhe të tjera. Të tjerat është fjala për torturë, dhunë, pasoja psikologjike e të tjera, është një shifër po themi kështu alarmante apo shumë e lartë, 193 mijë e 765”, ka thënë Kastrati.
Ai ka theksuar se ASK-ja e ka bërë vlerësimin edhe për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, kur regjistrimi nuk është bërë as në 2011-n dhe as tani.
E, në nivel të Kosovës, sipas rezultateve, krahasuar me vitin 2011, grupmosha 0-14 vjeç ka pësuar ulje prej 6.07 për qindësh, grupmosha 15-64 vjeç ka shënuar rritje prej 1.83 për qindësh, ndërsa grupmosha mbi 65 vjeç ka shënuar rritje prej 4.26 për qindësh.
Numri i popullsisë që jeton në vendbanime rurale është zvogëluar nga 62 për qind sa ishte në vitin 2011, në 49.8 për qind në vitin 2024.
Sipas rezultateve, për herë të parë, popullsia urbane (50.2 për qind) e kalon atë rurale me (49.8 për qind).
“Nëse e shohim këtë grafikon, është një precedent. Në moshën 45-vjeçare kemi pasur numrin më të madh të popullsisë në 2011, ndërsa në vitin 2024 kemi një rënie të kësaj moshe në popullsi, në trend të rritjes pas moshës 45-vjeçare”, ka thënë Burim Limolli, zyrtar i ASK-së.
Ky ndryshim sipas ASK-së tregon një lëvizje të popullsisë drejt zonave urbane.
Bazuar në rezultatet e publikuara, krahasuar me vitin 2011, ka një rritje prej 21.5% në numrin e ndërtesave, banesave dhe shtëpive.
“Numri i banesave të përgjithshme po ashtu është rritur shumë, krahasuar me vitin 2011, për 41 për qind, po ashtu edhe numri i banesave të zakonshme është rritur për 35 për qind. Kjo lë të kuptohet se ndërtimi në Kosovë, gjatë kësaj periudhe ka pasur një rritje masive”, ka theksuar Avni Kastrati.
Të dhënat tregojnë se në Kosovë, popullsia ka dominim të madh të banesave në pronësi me 92.8 për qind, ndërsa numri i banesave me qira në forma të tjera mbetet shumë i ulët, përkatësish 5.3 dhe 1.2 për qind.
Ndërkaq, numri i ekonomive familjare është rritur për 69 mijë e 505 apo për 23.4 për qind.
Projekti i regjistrimit të popullsisë është vlerësuar edhe nga ekspertë ndërkombëtarë.
“Jam impresionuar shumë nga aftësitë e stafit të ASK-së. Ky ishte në shumë aspekte e veçanërisht se si u përdor teknologia me tabletë. Në çdo kohë, menaxhmenti ishte në gjendje të shohë statusin e punës. U impresionova nga uniteti dhe solidariteti që u pa nga operatorët, mbikëqyrësit dhe intervistuesit. Gjithashtu dëshiroj të shpreh të njëjta përshtypje në lidhje me atë se si ishte diversiteti”, ka thënë Eduardo Jongstra, ekspert ndërkombëtar.
Regjistrimi i popullsisë u zhvillua nga data 5 prill deri më 24 maj, ndërsa regjistrimi i diasporës vazhdon deri në fund të vitit.