Gashi pret për vizitë kryeparlamentarin turk, Kurtulmuş
Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Türkiyes (TBMM), Numan Kurtulmuş, është pritur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga homologu i tij Afrim Gashi, raporton Anadolu.
Garda ceremoniale u vendos para ndërtesës së Kuvendit, ndërsa para kryeparlamentarëve Kurtulmuş dhe Gashi u intonuan himnet e Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut.
Pas pritjes ceremoniale, Kurtulmuş dhe Gashi zhvilluan një takim kokë më kokë, ndërsa më pas u mbajt takim me Grupin Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Türkiyes.
Pas takimeve, Kurtulmuş do të nënshkruhet në Librin e Kujtimeve, pas çka do të mbahet një konferencë e përbashkët për media mes kryeparlamentarëve Kurtulmuş dhe Gashi.
Postimi nga GASHI:
Kisha nderin e veçantë të mirëpres në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mikun tim, Kryetarin e Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, z. Numan Kurtulmush.
Kjo vizitë, pak muaj pas vizitës sime në Turqi, dëshmon vazhdimësinë e dialogut të shkëlqyer ndërmjet dy shteteve dhe parlementeve tona, si dhe është një mundësi për të riafirmuar partneritetin e palëkundur. Konfirmuam përkushtimin për paqe, siguri, prosperitet dhe avancimin e objektivave për integrim në BE, duke thelluar njëkohësisht bashkëpunimin ekonomik, projektet infrastrukturore dhe investimet direkte.
Derisa ky takim përkon me Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, kisha kënaqësinë t’i uroj këtë ditë të veçantë për gjuhën, kulturën dhe identitetin turk, si elemente të pandashme të mozaikut të shoqërisë tonë.