RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti u mirëprit nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas

Shpërndaje

Bruksel, 3 dhjetor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u mirëprit sot në Bruksel nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

Në këtë takim të parë në kapacitete të reja, kryeministri Kurti e uroi znj. Kallas për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në realizimin e objektivave të saj dhe Komisionit të ri të Bashkimit Evropian dhe duke i ofruar bashkëpunim të ngushtë, si dhe avancimin dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kryeministri u shpreh se Republika e Kosovës është plotësisht e linjëzuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe e angazhuar në reformat evropiane. Ai veçoi se deri në fund të vitit 2023, Kosova ka zbatuar 72% të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA II) dhe ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka dorëzuar në Bashkimin Evropian Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes. Me këtë rast, kryeministri kërkoi nga Përfaqësuesja e re e Lartë e Bashkimit Evropian, Kallas, largimin e masave ndaj Kosovës, dhe theksoi rëndësinë e pranimit të pyetësorit për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian teksa këtë muaj bëhen dy vjet nga dorëzimi i aplikimit. Për Republikën e Kosovës, integrimi në BE dhe NATO nuk kanë alternativë sepse nuk duam të kemi alternativë, tha kryeministri.

Gjatë bisedës u diskutua për progresin e Kosovës, bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë. Kryeministri tha se Kosova ka shënuar progres të madh ekonomik dhe demokratik, dhe se është palë aktive në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik në rajon sipas rregullave dhe standardeve të BE-së. Për sa i përket sigurisë, ai tha se Republika e Kosovës ka menaxhuar me sukses sfidat më të rënda dhe kërcënimet më serioze që prej shpalljes së pavarësisë, duke iu referuar sulmit paramilitar dhe agresionit të Serbisë në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, dhe sulmit kinetik të 29 nëntorit në kanalin e ujit “Ibër Lepenc” në Zubin Potok, me ç’rast u rrezikua që gjysma e popullsisë të mbetet pa ujë dhe pa energji elektrike. Ndërkohë që hetimet për sulmin e fundit po vazhdojnë, kryeministri nënvizoi që në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe. ,

Në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kryeministri theksoi rëndësinë që sa herë të flitet për dialogun si proces të përmendet fakti që ka një Marrëveshje Bazike e cila ka një Aneks të Zbatimit, por që në vazhdimësi shkelet nga Serbia. Ai tha se Marrëveshja Bazike duhet të respektohet dhe duhet të zbatohet dhe se garanci për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj.

Kryeministri Kurti e falënderoi Përfaqësuesen e Lartë, Kallas për mikpritjen. Gjatë qëndrimit në Bruksel, ai gjithashtu do të marrë pjesë në darkën e shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Paraprakisht do të ketë një takimi bilateral me të.

Deklarimi i plotë për media i kryeministrit Kurti pas takimit me Përfaqësesuen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas

Pyetja: z.Kryeministër, ishte ky takimi juaj i parë me zonjën Kallas në cilësinë e saj si shefe e re e diplomacisë Evropiane. A mund të na tregoni cilat ishin temat që ishin në fokus të bisedave?

Kryeministri Kurti: Unë e falënderoj edhe publikisht znj. Kallas për mikpritjen sot, e i dëshiroj shumë suksese në punën, detyrën e saj të re.

Nga liderët që ka Evropa sot, besoj që znj.Kallas është në kohën e duhur, në vendin e duhur.

Ne kemi shpresa të mëdha që Republika e Kosovës dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes e sigurisë në përgjithësi.

Me zonjën Kallas diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por gjithashtu edhe raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë.

Për të parën, unë theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur. Njëkohësisht edhe kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat edhe rezultuan me vrasjen e rreshterit tonë policor, Afrim Bunjaku. Kryekrimineli i bandës që kreu këtë, mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Pra, ne kërkojmë në atë takim çdoherë, në çdo takim dorëzimin e Millan Radoçiqit autoriteteve të Kosovës, ku tashmë Prokuroria ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij prej mbi dyzet veta.

Në anën tjetër, insistuam që të mos diskutohet vetëm për dialogun, por gjithmonë kur përmendet dialogu, të përmendet Marrëveshja Bazike. Ne kemi një marrëveshje me Serbinë, e ka edhe një Aneks të Zbatimit nga Ohri. Marrëveshja Bazike është e arritur e rëndësishme, ajo duhet të respektohet dhe duhet të zbatohet e garanci për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj.

Dhe natyrisht që diskutuam edhe për sulmin e fundit që na u bë në Kosovë, eksplodimi i kanalit Ibër-Lepenc në Zubin Potok të Kosovës. Me këtë rast u rrezikua që më shumë se gjysma e popullsisë së vendit tonë, pra nën sulm ka qenë popullsia civile, të ngelet edhe pa ujë, edhe pa energji elektrike.

Kemi pasur punë jashtëzakonisht profesionale nga organet tona të shtetit dhe kemi arritur që ta sanojmë dëmin, por duhet të marrim edhe masa shtesë që asgjë e ngjashme të mos përsëritet.

Po zhvillohet një hetim për këtë gjë. Ka njerëz të arrestuar, ka material të konfiskuar, përfshirë këtu edhe armatim e municion, me theks tek fakti që nga 74 distinktiva/emblema që u konfiskuan, njëzet prej tyre janë ruse, të njësive të ndryshme ruse, të tjerat janë serbe përgjithësisht. Është edhe një emblemë e UÇK-së aty, që na bën të mendojmë që dikush ka dashur që hetimin e ardhshëm të mundshëm ta drejtojë në pistë të gabuara apo siç quhet sot nga NATO-ja ‘false flag operation’, sepse nuk ka shpjegim ndryshe ajo emblemë e UÇK-së aty, por janë njëzet emblema të Rusisë në mesin e 74 sosh.

Ne kërkojmë mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë që të na ndihmojnë në këtë aspekt. Kosova nuk ka dilema, integrimi në Bashkimin Evropian dhe integrimi në NATO nuk kanë alternativë, sepse ne nuk duam të kemi alternativë dhe dëshirojmë që ky proces të përshpejtohet.

Do të kemi edhe darkë me presidentin Antonio Costa dhe me liderët e tjerë të Ballkanit. Është shumë mirë që znj. Kallas, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian dhe përgjegjëse për Politikën e Jashtme e të Sigurisë, qysh në ditët e para të detyrës së saj të re menjëherë është interesuar për çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që duhet të normalizohen me atë Marrëveshje Bazike, e cila në qendër e ka së paku njohjen de facto.

Pyetja: A ju shpalosi zonja Kallas idetë e saj se si e sheh vazhdimin e procesit të dialogut?

Kryeministri Kurti: Takimi i sotëm duket që ka qenë më shumë për të na dëgjuar neve, do të dëgjojë edhe të tjerët nga rajoni dhe nuk ka dyshim që në vitin e ardhshëm do ta intensifikojë procesin për paqe e siguri, për integrim edhe zhvillim, natyrisht duke punuar edhe me ekipin e saj. Se çfarë forme përmbajtje do të merr kjo, vështirë ta dimë tash. Por ky takim ishte takim informues në detyrën e saj të re, në një situatë kur ajo dëshiron të tregojë përkushtimin e saj për Ballkanin Perëndimor qysh në ditën e dytë apo tretë të punës dhe kjo natyrisht që është një shenjë e mirë dhe shpresëdhënëse edhe për vendin tonë që ka shumë pritje nga znj. Kallas, por njëkohësisht edhe për gjithë rajonin dhe liderët, të cilët janë demokratë e paqedashës.

Pyetja: Dy herë Bashkimi Evropian për një vit e më pak ka cilësuar sulmet ndaj Kosovës si sulme terroriste. Këtë të fundit e ka shtuar edhe akt sabotimi. Marrë parasysh se janë ndryshuar strukturat, struktura e kaluar nuk ka pas disponim politik që të shkohet tutje me pasoja eventuale ndaj Serbisë. Cili është disponimi sot me funksionaren e re në politikën e jashtme evropiane?

Kryeministri Kurti: Kjo varet shumë prej dinamikave të 27 vendeve, por ajo çka unë uroj është që Komisioni Evropian në këtë mandatin e dytë të presidentes Ursulla von der Leyen do të duket më shumë si Parlamenti Evropian sesa si Këshilli Evropian, ku siç kemi parë një ose dy shtete mund të vënë veto dhe t’i ngecin e ngelin që të gjithë prapa. Konsensusi si vlerë nuk është menduar si e drejtë vetoje, po është menduar si qasje dhe qëndrim që të mos lihet asnjëri prapa, e jo që të ngelen që të gjithë prapa. Andaj, unë uroj dhe besoj që Komisioni Evropian në këtë mandatin e dytë të Presidentes von der Leyen, do të jetë më shumë një komision që udhëheq se sa që menaxhon dhe në këtë mënyrë do ta shpëtojnë e përparojnë kontinentin mbarë të cilit ne i përkasim.

Qartazi, nuk mund ta ndryshojmë as gjeografinë, as historinë, por mund ta ndryshojmë dhe duhet ta ndryshojmë të ardhmen për të mirë dhe për këtë kërkohet lidership i fuqishëm i Brukselit për çfarë populli i Kosovës është edhe falënderues, por edhe kontribuues.

Pyetja: Në qershor i keni parashtruar disa kushte parakushte për të takuar në kuadër të dialogut me homologun e juaj nga Serbia. A keni tani disponim që t’i anashkaloni këto kushte, meqë motorin e dialogut e merr dikush tjetër?

Kryeministri Kurti: Unë kam kërkuar që të dorëzohet në Kosovë Millan Radoviqiqi. Kam kërkuar që të tërhiqet letra e ish-kryeministres, tash kryetare e Kuvendit, Bërnabiq, ku ajo praktikisht thotë që nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës, dhe të nënshkruhet marrëveshja. Unë nuk e kam ndryshuar qëndrimin tim, sepse Serbia s’ka ndryshuar. Pra, nuk pritet që të bëhen ndryshimet në Bruksel, duhet të bëhen ndryshimet në Beograd, sa i përket qasjes ndaj Kosovës, në mënyrë që unë ta rimendoj qëndrimin tim, lidhur me vazhdimin e dialogut, i cili edhe një herë po e them, asnjëherë nuk bën të përmendet pa u përmend fjala që kemi Barrëveshje bazike, por Serbia po e shkel. Ish-Komisioni Evropian, nuk i binte filikaqes kur kishim shkelje dhe nuk ka pasur as mirëbesim, as vullnet të mirë për zbatimin e marrëveshjes, të cilën e kanë pranuar. Beogradi nuk mund të thotë se nuk e ka pranuar marrëveshjen, por ata po dëshirojnë që tash ta sabotojnë realizimin e saj.