Kurti për ftesën e Prokurorisë për intervistim: Qëllimi është që të bëhem lajm ndërkombëtar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk i është përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale për intervisim si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore, pasi sipas tij, qëllimi është që vetë ai të bëhet lajm ndërkombëtar duke hyrë në objektin e Prokurorisë.
Për këtë kryeministri e akuzoi kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, të cilin e quajti “regjisor” të asaj pamjeje që Kurti nuk po e pranon ta bëjë.
“Pikërisht ky prokurori (Blerim) Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri hyn në Prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty nuk thuhet që si dëshmitar. Ky është qëllimi” – tha Kurti në një emision në Kohavision më 29.12.2024.
Kryeministri theksoi se ai guxon t’u thotë prokurorëve “s’po vij” për intervistim.
“Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj të ju them s’po vij, te shohim tash a guxojnë ata të vijnë”- tha Kurti.
Në lidhje me akuzat e kryeministrit Kurti për kryeprokurorin Blerim Isufaj, KALLXO.com ka kontaktuar Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.
Prokuroria Speciale ka përcjellë dy ftesa në adresë të kryeministrit, Albin Kurti, për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Ndërkaq, kabineti i kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese, duke ritheksuar gatishmërinë e Kryeministrit që t’i mirëpresë prokurorët në zyrën e tij për intervistim.
Ndonëse, ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar, të hënën, më 16.12.2024, në ora 09:30. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur me arsyetimin se ‘Kryeministri është në vizitë jashtë vendit’.
Kryeministri Kurti është thirrur si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar kryeministrit – të publikuar nga Kryeziu – përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore, ku të pandehur janë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.
Lipovica dhe Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar, më 18.08.2023, nën dyshimin për veprat “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.