MaqedoniTop Lajme

Kushtetuesja do ta ftojë Komisionin e Venecias, Kadriu dhe Ajdari nuk do të marrin pjesë as në seancën përgatitore

Shpërndaje

Në takim të veçantë të punës, që do të mbahet më 24 dhe 25 dhjetor, Gjykata Kushtetuese do ta vërtetojë listën e pjesëmarrësve në seancën përgatitore që duhet të mbahet në mars të vitit të ardhshëm. Paraprakisht gjykatësja raportuese, Elizabeta Dukovska, do të parashtrojë propozim listë të pjesëmarrësve, ndërsa njëherit do të vërtetohen edhe çështjet juridike të kontestueshme. Kryetari i Kushtetueses, Darko Kostadinovski, në intervistë në ClickPlus në TV21, tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias dhe do të kërkojë që edhe pjesëtarë të tyre të vijnë dhe të marrin pjesë në atë seancë.

“Për shkak se jam në kontakt me Komisionin e Venecias, dëshiroj që edhe ekspertë të tyre të vijnë në seancën përgatitore. Pasi që do të konfirmojmë terminët e mundshme, natyrisht do të jetë nga muaji mars, do të presim edhe këshillin miqësor që do të miratohet në Komisionin e Venecias, diku ka fillimi i marsit, sapo ta marr këshillin miqësor dhe kam përgjigje nga Komisioni i Venecias se kur mund të vijnë, menjëherë do ta thirri seancën përgatitore”, tha Darko Kostadinovski – kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu i cili së bashku me kolegun e tij Naser Ajdari nuk morën pjesë në seancën e së mërkurës, paralajmëroi se nuk do të marrin pjesë as në seancën përgatitore. Ai në deklaratë për Alsat, tha se sipas tij as në atë seancë nuk do të arrihet asgjë.

“Që tani e informojmë opinion se ne dy shqiptarët nuk do të marrim pjesë në atë takim për shkak se sa për të ju informuar, në atë takim nuk do të arrihet asgjë. Nuk kishte alibi tjetër, nuk ka arsye tjetër që Gjykata me shumicë votash të sjell vendim të tillë, por me këtë në kohë fitojmë, për shkak se pas takimit përgatitor do të nevojitet një kohë e caktuar që të përgatitet raport i ri”, u shpreh Osman Kadriu – Gjykatës Kushtetues.

Kostadinovski hapur u ankua se gjykatësit kushtetues janë nën presion politik ndërsa ndaj tyre ka edhe kërcënime. Ai në një moment ka dashur që të ankohet edhe deri te institucionet gjyqësore botërore për këtë problem. Thotë se kjo është rezultat i kulturës së ulët politike që e kanë partitë.

“Unë në një moment mendoja që të ankohem deri te konferenca europiane ose botërore të gjykatave ndërkombëtare dhe deri te Komisioni i Venecias për presione që kryhen ndaj gjykatës për shkak se objektivisht, një periudhë më të gjatë kohore Gjykata Kushtetuese dhe gjykatësit kushtetues janë të ekspozuar ndikimeve politike dhe presioneve politike, si dhe dënime. Si ju duket juve kur faktori politik del dhe thotë se Gjykata kushtetuese dëshiron destabilizim të vendit”, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.

Për Ligjin për gjuhët janë parashtruar 13 nisma për rishqyrtimin e kushtetutshmërisë nga disa profesorë dhe qytetarë, parti politike dhe shoqata, ndërsa si lëndë është formuar në vitin 2019. Komisioni i Venecias tashmë ka dhënë vërejtje për këtë ligj.