Mickoski: U nënshkrua marrëveshje me “DM BAU International” për investim të ri prej 7 milionë euro dhe 200 vende të reja pune
Të nderuar,
Sot nënshkruajmë marrëveshje për një investim të ri në vend.
Marrëveshja e ndihmës shtetërore që po nënshkruhet sot parashikon një investim prej të paktën 7 milionë euro në 5 vitet e ardhshme dhe të paktën 200 vende të reja pune. Në përputhje me informacionet e fundit të marra nga menaxhmenti i kompanisë, investimi do të kalojë këtë shumë minimale për të cilën është e detyruar kontraktualisht.
Plani i investimit përfshin investime në blerjen e tokës, ndërtimin e plotë të impianteve dhe pajisjen e tyre me makineri dhe pajisje për prodhimin e objekteve modulare me qëllime të ndryshme. “DM Bau International” është pjesë e grupit “DM Bau” – një prodhues zviceran i objekteve modulare me mbi 100 vjet histori.
Përveç prodhimit të objekteve të tilla, kompania vepron edhe si kontraktues për të njëjtit. Me një qarkullim vjetor prej rreth 10 milionë franga zvicerane, mbi 70 punonjës dhe rreth 30 projekte në vit, „DM Bau” llogaritet ndër prodhuesit më të mëdhenj europianë në këtë segment.
Momentalisht prodhimi bëhet në dy lokacione në Zvicër, dhe planet për ndërkombëtarizim dhe rritje të kapaciteteve “DM Bau” vendosi t’i realizojë përmes Maqedonisë. Në zonën industriale afër Kumanovës, „DM Bau International” do të ndërtojë një kompleks të madh të përbërë nga disa objekte për prodhim, montim dhe magazinim, me një sipërfaqe totale prej rreth 35,000 metra katrorë nën çati.
Për këtë qëllim, në vitin 2024 kompania bleu tokë me sipërfaqe rreth 72 mijë metra katrorë. Aktualisht aty po kryhen punimet fillestare tokësore për nivelimin e tokës, pas së cilës gjatë vitit 2025 do të fillojë ndërtimi i impianteve të prodhimit të tyre.
Do të përmend se kompania „DM Bau International” është në pronësi të bashkëqytetarit tonë me origjinë nga Maqedonia, i cili jeton dhe punon në Zvicër, por që planet e tij investuese vendosi t’i realizojë në vendin tonë.
Vazhdojmë të kontribuojmë çdo ditë për një ekonomi të zhvilluar dhe për të riparuar dëmet dhe problemet e pushtetit katastrofik që trashëguam nga LSDM dhe BDI.
Pikërisht hap pas hapi po arrijmë deri te rezultatet më të larta historikisht në tërheqjen e investimeve prej një miliard eurosh këtë vit. Ky është qëllimi ynë, ky nuk do të jetë investimi i vetëm këtë javë, gjatë javës do të kemi një tjetër investim, po fillojmë me vendosjen e gurthemelit, por për këtë do të informoheni.
Jemi zotuar të punojmë me ndershmëri dhe me përkushtim. Po shënojmë rekorde në kushte të vështira gjeostrategjike, politike dhe ekonomike, por gjithsesi si Qeveri e re synimi ynë është të ofrojmë zgjidhje për qytetarët.