“Prezantimi i listës së LVV”, Kurti: Synojmë gjysmë milionë vota më 9 shkurt
Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët e listës, Guxo dhe Alternativa, kanë prezantuar sonte kandidatët për deputetë pjesë e garës zgjedhore të 9 shkurtit 2025. Listës prej 110 kandidatëve i prin kandidati për kryeministër, kryeministri aktual dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
Ky i fundit në fjalimin e tij ka prezantuar listën e VV-së për të cilën tha se janë njerëz me dinjitet dhe profesionalë.
“Në listën e fitores sonë të madhe në këta 110 kandidatë, gjejmë një gamë të gjerë profesionesh nga njëshi deri 110-shi gjejmë 17 mjekë, 12 inxhinierë e tre të tjerë nga shkencat ekzakte, 12 juristë, 20 ekonomistë, tetë nga shkencat politike dhe integrimet evropiane, 12 nga shkencat e tjera sociale, tre nga marrëdhëniet ndërkombëtare, tetë nga gjuha shqipe dhe ato të huaja, pesë nga gazetaria dhe komunikimi masiv, dy nga bujqësia, tre nga fusha ushtarake, tre nga arti e kultura dhe katër nga sporti”, ka thënë Kurti.
Ai tha se në listën e VV-së 41 janë gra e 69 burra, 14 janë veteranë të luftës, gjashtë nga familjet e dëshmorëve, gjashtë ish-të burgosur politikë. Numri i atyre që kandidojnë për herë të parë është 46, ndërsa i atyre që kanë kandiduar dy herë e më shumë – 64, derisa numri i kandidatëve nga mërgata është tre.
“Ata që garojnë me pragun, ata që garojnë mes vetes në garën për pretendent për garë seriozë dhe janë ata që garën e kanë me vetveten. Ne jemi krejtësisht në gara të ndara. Lëvizja VV së bashkuar me partnerët Guxo e Alternativa garon vetëm me veten, nuk humbim kohë me të tjerët, por të garojmë me veten në qëllimet tona më të larta – të angazhohemi me të gjitha mundësitë për ta ngritur subjektin tonë në shifrën prej gjysmë milionë të qytetarëve të Republikës”, tha ai.
Në dhjetëshen e parë të listës së VV-së janë edhe kryetari aktual i Kuvendit Glauk Konjufca, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla nga Guxo, ministrat Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Xhelal Sveçla, shefja e grupit parlamentar Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, ministri i Bujqësisë Faton Peci nga Guxo dhe Shqipe Mehmeti Selimi.
Jashtë listës kanë mbetur ministri i Mjedisit, Liburn Aliu dhe Besnik Bislimi, i cili do të jetë shef i shtabit zgjedhor.
Vetëvendosje ka udhëhequr me Qeverinë Kurti 1, e cila njihet si më e shkurtra në historinë e Kosovës – 50 ditë. Qeveria Kurti 2, e cila doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, përmbushi për herë të parë një mandat të rregullt katërvjeçar. /kp/
Disa pjesë nga fjalimi KURTIT:
Ata që na kanë sabotuar në këto katër vite duke përdorur secilin instrument që ende e kanë disi në duar, edhe ndonjë ditë, për të na goditur e për të na dështuar tash po e shpalosin pezmin, inatin, xhelozinë. Por besoni me pezm, me inatë, me xheozi, nuk ecet përpara. Ata janë prapa ne jemi përpara dhe vazhdojmë bashkë përpara. – Kryeministri Albin Kurti
Kemi dëshmuar se territori i Kosovës nuk është pronë private për ta falur apo trajtuar si dhuratë, kemi treguar se dialogu nuk është tryezë 5 minutash dhe as pazar i cenimit të Republikës, kemi treguar se ekonomia nuk është mënyra për ta kthyer pasurinë publike në plaçkë, kemi treguar se buxheti nuk është për ata që kanë shumë, e hiç për ata që kanë nevojë, kemi treguar se investimet e huaja nuk janë më as ryshfet e as haraç. Me shumë sukses kemi dëshmuar se në politikë mund të angazhohesh pa u korruptuar. – Kryeministri Albin Kurti
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 janë gjykimi popullor, e vlerësimi qytetarë, për rritjen ekonomike 6% në vit, për rritjen e punësimit për 22%, për shtimin e numrit të fëmijëve në çerdhe për 33%, e për rritjen e pensioneve për mbi 33%, për rritjen e buxhetit të pagave për 45%, rritjen e buxhetit të shtetit për 50%, rritjen e qarkullimit të bizneseve për mbi 80%, për shtimin e eksporteve tona për qind për qind. E të Investimeve të Huaja Direkte për 134%, për ngritjen e buxhetit për barna për gati 200%, e të buxhetit për ushtri për mbi 200%, të subvencioneve për grurë për 275%, të buxhetit për kulturë e sport për 300% e deri te shtesat për fëmijë e mbështetja për lehona për herë të parë dhe shtrirja e sovranitetit në % për % të vendit tonë të dashur.
500 mijë vota nuk është thjeshtë aspiratë sa për kuriozitet por është më e nevojshme se kurrë që jo vetëm të vazhdojmë punët e mira, të drejta e të domosdoshme që kemi nisur për Republikën tonë, por edhe të mos varemi nga Lista Serbe e as nga klubi i stërvjetëruar politik. – Kryeministri Albin Kurti
Nuk na duhet të humbim kohë me të tjerët, por të garojmë me veten me vështrimin në qëllimet tona më të larta. Pra, le të angazhohemi me të gjitha mundësitë individuale dhe kolektive, familjare dhe profesionale, për ta ngritur subjektin tonë në shifrën e 500 mijë votuesve apo gjysmë milioni qytetarëve të Republikës. Kjo është pra beteja jonë e cila nis sot dhe nuk do të ndalet deri në orën 19:00 të ditës së dielë të 9 shkurtit të vitit 2025. – Kryeministri Albin Kurti