RajoniTop Lajme

PZAP miratoi ankesën dhe urdhëroi KQZ-në që të certifikojë Listën Serbe

Shpërndaje

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP), sot me 25.12.2024 ka miratuar ankesën e Listës Serbe, e cila nuk ishte certifikuar nga KQZ-ja për zgjedhjet që do të mbahen më 09.02.2025 në Kosovë, raporton Kallxo.

PZAP-ja ka anuluar vendimin e KQZ-zë të datës 23.12.2024, duke urdhëruar atë që ta certifikojë Listën Serbe.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) të certifikoj subjektin politik, Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024 për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më datën 09 shkurt 2025”, – thuhet në vendimin e PZAP-së.

Ankesën në PZAP, Lista Serbe e kishte paralajmëruar përmes një konference për media më 24.12.2024.

KQZ-ja në mbledhjen e datës 23.12.2024 nuk kishte certifikuar Listën Serbe, për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kjo pasi që, ishte vlerësuar nga ana e disa anëtarëve në KQZ, se ka pasur thirrje nacionaliste serbe nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek – gjatë prezantimit të Listës zgjedhore të këtij subjekti politik.

Moscertifikimi i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë u përcoll me reagime të shumta.