Si i mbijetuan tragjedisë ajrore në Kazakistan 32 pasagjerët
Dhjetëra njerëz kanë vdekur pasi një avion pasagjerësh u rrëzua me rreth 70 persona në bord në Kazakistan. Autoritetet në Azerbajxhan, ku nisi fluturimin avioni “Embraer 190”, thonë se kishte të paktën 30 të mbijetuar, mes tyre edhe 2 fëmijë.
Fluturimi J2-8243 i Azerbajxhanit Airlines mori flakë teksa tentoi të bënte një ulje emergjente pranë qytetit të Kazakistanit, Aktau. Avioni ishte në rrugë për në Grozny në Rusi, por u devijua për shkak të mjegullës, tha linja ajrore për BBC.
Pamjet tregojnë avionin duke u nisur drejt tokës me shpejtësi të madhe, përpara se të shpërthejë në flakë, ndërsa prek tokën. Linja ajrore tha se avioni “bëri një ulje emergjente” rreth 3 km (1.9 milje) nga Aktau. Përplasja në tokë bëri që avioni të shpërthejë në flakë dhe u nda në dy pjesë. Pjesa përpara e avionit u shkatërrua krejtësisht dhe pasagjerët që ndodheshin aty, bashkë me ekuipazhin (pilotët e stuardesët) humbën jetën.
Ndërsa pjesa fundore e avionit nuk u dëmtua dhe pikërisht aty ndodh mrekullia duke iu shpëtuar jetën 32 pasagjerëve, të cilët u evakuan më vonë.
Avioni “Embraer 190” me numër fluturimi J2-8243 u ngrit nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku në orën 03:55 GMT të mërkurën dhe u rrëzua rreth orës 06:28, treguan të dhënat nga faqja e internetit për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24. Raportet nga mediat ruse thonë se avioni u përplas me një tufë zogjsh përpara se të rrëzohej, por kjo ende nuk është konfirmuar. Pasagjerët që mbijetuan ishin me sedilje të pozicionuara kryesisht tek bishti i avionit.
Zyrtarët nga vendet e përfshira kanë deklaruar numra të ndryshëm për ata që ishin në bord dhe për ata që mbijetuan. Linja ajrore tha se 62 pasagjerë dhe 5 anëtarë të ekuipazhit ishin në bordin e Embraer 190, por raportet e tjera thonë se totali ishte 72 individë. Numri i raportuar i të mbijetuarve varion nga 28 në 32.
Ata në bord ishin kryesisht shtetas të Azerbajxhanit, por kishte edhe disa pasagjerë nga Rusia, Kazakistani dhe Kirgistani. Azerbajxhan Airlines tha se fluturimet midis Baku dhe qyteteve ruse të Grozny dhe Makhachkala do të anulohen ndërsa një hetim për incidentin të përfundojë. Pamjet video të paverifikuara treguan të mbijetuarit duke u zvarritur nga rrënojat, disa me lëndime të dukshme. Si Azerbajxhani ashtu edhe Kazakistani kanë nisur hetimet për incidentin. Embraer i tha BBC-së se ishte “gati të ndihmonte të gjitha autoritetet përkatëse”./BBC/