Specialja arreston Kilajn, Smakajn e Fazliun, bastiset shtëpia e Hajredin Kuçit
Ish-Shefi i AKI-së e këshilltari i ish-presidentit Thaçi, ish-komandanti i UÇK-së e kryetari i Malishevës, dhe ish-luftëtari i UÇK-së janë arrestuar, ndërkaq shtëpia e ish-ministrit të Drejtësisë, është bastisur që nga orët e mesditës.
Isni Kilaj në Malishevë priti mysafirë të paftuar që në orët e mëngjesit.
“Po sot rreth orës 07:00 të mëngjesit ekipa e Gjykatës Speciale ka ardhur e ka arrestuar Babain. Për dallim nga arrestimi i kaluar është se këtë herë nuk ka pasur bastisje ose masa të ngjashme. Thjesht janë futur brenda dhe kanë kërkuar nga babai që të merr pajisjet e nevojshme elementare për udhëtim”, ka thënë Blend Kilaj, djali i Isni Kilajt.
Familjes Kilaj, hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të shoqëruar nga zyrtarët e EULEX-it, iu thanë se Isni Kilaj do të dërgohet në zyrat e EULEX-it dhe pastaj në Hagë.
Kilaj ishte arrestuar në nëntor të 2023 për pengim të drejtësisë, ndërsa më 15 maj u lirua me kusht pas dhënies së 30 mijë eurove dorëzani.
Për arrestimin e dytë TV Dukagjinit i ka folur avokati i tij, por pa ditur e dhënë shumë detaje.
“Tani e di se z. Kilaj po dërgohet në Hagë. Po ashtu kuptoj nga mediat kosovare se ai është njëri prej të paktën tre personave të arrestuar këtë mëngjes pas një kërkese nga KSC. Vetë faqja e internetit e KSC-së ka publikuar informacione që SPO-ja po kryen operacione të vazhdueshme në Kosovë në një hetim që përqendrohet në shkeljet e administrimit të drejtësisë, kështu që kjo më bën të mendoj se z. Kilaj nuk është arrestuar thjesht për shkelje të kushteve të lirimit të tij. Do të flas me z. Kilaj sapo ai të arrijë në Hagë dhe do të takohem me të shumë shpejt pas kësaj”, ka thënë Iain Esëards, avokati i Kiljat.
Edëard e tregoi një pjesë të qëndrimit të Gjykatës Speciale e cila tha se operacionet dhe procesi hetimor ka të bëjë me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
Aksionet nuk u ndalën me kaq. Në orët e mëngjesit u arrestua edhe Fadil Fazliu shtëpia e së cilit ishte bastisur në shtator të vitit të kaluar.
“Sot rreth orës 08:00 të mëngjesit te banesa e tij në Kodër të Diellit ku edhe është bastisur para një viti është arrestuar me 3-4 vetura të EULEX-it”, ka thënë Fahri Fazliu.
“Çka mundëm me mësu është vetëm se kanë procesuar kanë me dërgu në Prokurorinë Speciale dhe në Dhomat e Specializuara ndërkaq informata të tjera nuk dhanë”, ka thënë Skender Musa, avokat i Fadil Fazliut.
Para se të rikthehen për së dyti në selinë e EULEX-it avokati dhe djali i familjes së heronjve Bahri e Fahri Fazliu, zhvillimet ishin të ngjeshura. Në shtëpinë e Ish-shefit të AKI-së, Prokuroria Speciale kësaj here u kthye për ta arrestuar. Bëhet fjalë për ish-këshilltarin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajn, shtëpia e së cilit ishte bastisur në tetor të 2023-s.
Specialja e ka vazhduar aksionin ndaj njerëzve të afërt të Thaçit. Që nga orët e mesditës ata kanë kryer bastisje në banesën e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçit. Perimetri rreth banesës së tij në lagjen e profesorëve siç njihet, në afërsi të Fakultetit Teknik, e ka bërë të pamundur çfarëdo informacioni për bastisjen ose arrestimin eventual.
Në orët e pasdites në selinë e EULEX-it për vizitë erdhën djali tjetër i Isni Kilajt i shoqëruar nga një familjar. Ata nuk kanë mundur ta takojnë atë dhe nuk dhanë më shumë detaje para kamerës.
Fatin e njëjtë e patën edhe avokati Musa, dhe Fahri Fazliu.
“Jo nuk më treguan se kur do të transferohet, ose nëse do të transferohet, nuk më thanë asgjë, unë kërkova disa herë por nuk më treguan”, ka shtuar Fazliu.
Ndërkohë, Dhomat e Specializuara në Hagë publikisht kanë njoftuar se kanë përfunduar punën me seanca gjyqësore sepse deri në mes të janarit nuk do të ketë të tilla në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.