MaqedoniTop Lajme

Takim Mickoski – Kosta: Janë prezantuar qëndrimet e Maqedonisë së Veriut lidhur me integrimet evropiane

Shpërndaje

Kryeministri Hristian Mickoski dje vonë pasdite në Bruksel pati takim me kryetarin e ti të Këshillit Evropian, Antonio Kosta në të cilin është biseduar për procesin e anëtarësimit të vendit në BE.

“Takimin miqësor e shfrytëzova për të lobuar dhe prezantuar qëndrimet e Maqedonisë lidhur me integrimet evropiane dhe mundësinë për përshpejtimin e tyre”, njoftoi Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk.

Takimi u mbajt para darkës joformale të punës të cilën Koshta e organizoi për liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Përveç Mickoskit, në darkë ishin të ftuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentët e Serbisë dhe Malit të Zi, Aleksandar Vuçiq dhe Jakov Milatoviq, kryesuesja e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cijanoviç dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Albin Kurti.

Mickoski më herët në Bruksel është takuar edhe me komisioneren e re evropiane për zgjerim, Marta Kos, me të cilën ka biseduar për “interesat strategjike të Maqedonisë në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe gatishmërinë e shtetit për të pasur sukses në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.

Në një video paraqitje nga Brukseli, Mickoski deklaroi se në dy takimet ka thënë se Qeveria mbetet e fokusuar në reforma dhe se është e gatshme të diskutojë gjithçka që është parimore për shtetin dhe qytetarët, por se nuk pranon ultimatume.

“Në të dyja takimet, në një atmosferë jashtëzakonisht miqësore dhe do të thoja të përzemërt dhe konstruktive, diskutuam për të gjitha ato që kemi kaluar si sfida në të kaluarën, për gjithçka për të cilën është dashur të heqim dorë në emër të vlerave evropiane, por njëkohësisht riafirmuam qëndrimet tona se nuk pranojmë ultimatume, se jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të bisedojmë aq sa është e nevojshme për të gjetur një mënyrë për të hapur klasterin e parë, për ta kaluar shpejt procesin e negociatave dhe për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi edhe se Qeveria mbetet e përkushtuar për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët tanë dhe si pjesë e kësaj agjende është edhe inspirimi që shteti të bëhet pjesë e familjes evropiane.