109 vjet nga vrasja e Heroit të Popullit, Isa Boletini
109 vjet më parë u shua një nga figurat qendrore të çështjes kombëtare, Isa Boletini.
Ai lindi në Boletin të Mitrovicës, më 15 janar 1864 dhe ndërroi jetë në Podgoricë më 23 janar 1916, pas një atentati nga shovinistët malazezë, ku mbetën të vrarë edhe djemtë e tij, Halili dhe Zahidi, nipërit si dhe luftëtarë të tjerë.
Isa Boletini, udhëhoqi forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesit osmanë më 1912, duke qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Boletini ishte pjesëmarrës në rini në veprimtarinë e Lidhjes së Prizrenit. Më pas shërbeu si kryetar i rojave të pallatit sulltanor, prej ku u kthye me grada dhe çifligje. Pas ardhjes së xhonturqve dhe reformave të ndërmarra prej tyre, ai drejtoi kryengritjet e 1910 dhe atë të 1912. Ishte edhe një ndër personat afër princ Vidit gjatë sundimit të tij në Shqipëri.
Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë, Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë.
Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor. Isa Boletini e lidhi jetën e tij dhe të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë jam mirë, kur asht mirë Shqypnia”.