Maqedoni

3,5 milionë euro për kripë dhe rërë për rrugët e Maqedonisë! Mekanizimi ende nuk është blerë

Shpërndaje

Për sezonin dimëror 2024-2025 deri më tani për kripë dhe rërë janë shpenzuar 219 milionë denarë, rreth 3,57 milionë euro. Ndërmarrja publike “Rrugë shtetërore” është bartëse e tri kontratave më të mëdha, por ato janë ekskluzivisht për materiale, ndërsa mekanizimi për pastrim dimëror ende nuk është blerë.

“Procedura për marrjen me qira të makinerive është anuluar vitin e kaluar dhe është rishpallur, me afat për dorëzimin e ofertave deri më 10 janar”, thonë nga Qendra për komunikim CIVIL.

Komunat dhe Qyteti i Shkupit çdo vit ndajnë shuma të konsiderueshme për mirëmbajtjen dimërore. Shkupi dhe komunat e Shkupit së bashku do të shpenzojnë më shumë se një milion euro, ndërsa shpenzimet më të mëdha jashtë kryeqytetit i bëjnë Manastiri dhe Kërçova.

VETËQEVERISJE LOKALE:

Manastir – rreth 250 mijë euro

Kërçovë – 134 mijë euro

Qendër – 116 mijë euro

Gazi Babë – 113 mijë euro

Gostivar – 96 mijë euro

Strugë – 92 mijë euro

-Vetëqeverisja lokale do të shpenzojë gjithsej 2.3 milionë euro për mirëmbajtjen dimërore, ku përfshihet blerja e kripës, zhavorri dhe mekanizimi.

Hulumtimi tregon se konkurrenca në tenderë është jashtëzakonisht e ulët, me një mesatare prej 1.4 oferta për tender. Shumica e kontratave janë lidhur vetëm me një ofertë, gjë që ngre çështjen e transparencës dhe kosto-efektivitetit.

“Për rreth 71% e tenderëve ka pasur vetëm një ofertë, që tregon se konkurrenca është në nivel shumë të ulët”, thonë nga Qendra për komunikim CIVIL.

Edhe pse deri më tani janë shpenzuar mjete të konsiderueshme për mirëmbajtjen dimërore, kontratat kyçe për mekanizim ende nuk janë finalizuar. Qytetarët tashmë sot janë përballur me probleme në rrugë pasi institucionet nuk kanë reaguar me kohë.