Aksidenti në rrugën Saraj-Rashçe, gjendet trupi i pajetë i pasagjerit të katërt
Ka përfunduar golgota për familjen Asllani, e rënë në ujërat e lumit Vardar, një ditë më parë, në rrugën nga Saraji për në fshatin Rrashçe. Duke pritur për orë të tëra, më në fund, rreth orës 15:00 u gjet edhe i moshuari, që drejtonte makinën me të cilën humbën jetën gjithsej 4 persona, ai vetë, bashkëshortorja, njëra prej vajzave dhe nusja e djalit e ardhur nga Italia. Udhëtimi për një iftar familjar u pre në mes, për shkak të daljes nga rruga të makinës dhe rënies në ujërat e lumit Vardar.
E vetmja mrekulli në zinë që pllakosi familjarët dhe banorët e Gërçecit, ishte fëmija 4 vjeçar i mbijetuar, i fluturuar nga makina dhe i gjetur në një shkurre në afërsi të vendit të aksidentit.
“Derisa ekipi i TV ALSAT ishte në terren takuam edhe disa anëtarë të kësaj familje të cilët rrëfyen për momentin e mbërritjes në vend ngjarje e deri te tërheqja e kufomave. Ato thonë se nuk janë të kënaqur nga institucionet përkatëse për punën që kanë bërë dhe mungesën e mjeteve të cilat janë të nevojshme për raste të këtilla”, raporton Melihate Rustemi, gazetare.
“Është motra me dhëndrin, më mbesën dhe me nusen e vet. Falë fshatarëve të fshatit Sfillare dhe të fshatrave përreth, ato shumë kanë ndihmuar përndryshe këto të tjerët shumë dobët. Veturën e kam pa atje, e kishin lidh me një litar metalik, këto banorët e fshatrave përreth”, deklaroi Xhevdet Bela, familjar.
U deshën shumë orë kërkim nga pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit, vullnetarë dhe shoqata e zjarrfikësve vullnetarë “Bajram Miftari” nga Komuna e Çairit, të cilët mbrëmë por edhe sot prej orës 7 të mëngjesit ndërmorën aksine për gjetjen e viktimës së katërt të familjes Asllani
“Operacioni ka filluar prej në ora 19 sepse kushtet e vështira kanë qenë poshtë, ka pas nevojë të priten shumë dru edhe të hyhet me ekskavator deri poshtë edhe me kamionin tonë. Në bashkëpunim me forcat e rendit, policinë dhe njësitin për intervenim të shpejtë “Tigrat”, kemi bashkëpunuar me ato. Njëri prej atyre u zhyt, kishte zhytës, e lokalizuam saktësisht ku gjendet vetura edhe pse një pjesë e veturës ishte jashtë mirëpo nuk shihej se çka ka brenda, si është, sa është thellë. Filluam me tërheqjen e veturës deri në ora 23 e 30, tre orë zgjati operacioni”, tha Artan Demiri, kryetar i zjarrfikësve vullnetarë Çair.
Në fshatin Gërçec janë bërë tashmë përgatitjet për ceremoninë e varrimit të familjarëve për ditën e nesërme. Ndërsa i mituri i vetëm i mbijetuar nga tragjedia mësohet të jetë kthyer në shtëpi, pranë familjarëve të tjerë, në gjendje të mirë shëndetësore. /Alsat.mk