MaqedoniTop Lajme

“Ballkani Hapur ” përplasi pushtetin dhe opozitën shqiptare

Shpërndaje

“Ballkani Hapur ” përplasi pushtetin dhe opozitën shqiptare, në reagime që u nxitën nga qëndrimi skandaloz i ministrit Stoillkoviq ndaj Kosovës. Ndërkohë që BDI akuzon VLEN-in për tradhëti ndaj votuesve, duke theksuar se ministrat e këtij koalicioni po përgatisin dokumentet dhe po zbatojnë politikat e kësaj iniciative, edhe pse sipas tyre, ishte pikërisht VLEN, koalicioni që dikur e quante këtë projekt si tradhëti kombëtare.

“Deri sa ishin në opozitë, partitë e koalicionit vlen bënë betimin e madh: Ditën e parë në pushtet, do ta tërheqim Maqedoninë e Veriut nga Open Balkan! Me këtë premtim mashtruan votuesit, e përdorën si armë politike për të sulmuar qeverinë e mëparshme, organizuan një fushatë të egër duke e etiketuar këtë iniciativë si të dëmshme për vendin dhe si një projekt antikombëtar sipas kahjeve të Albin Kurtit. Por sot, në pushtet, pa legjitimitet, jo vetëm që nuk e kanë tërhequr vendin nga Open Balkan, por qeveria e tyre tani e sheh atë si një projekt pozitiv dhe Shkupi dhe Beogradi janë shndërruar në partnerë strategjik në rajon”, thonë nga BDI.

Nga koalicioni VLEN thonë se Ballkanin e Hapur nuk e kanë sjellë ata, por e kanë gjetur aty, si një barrë të rëndë, që siç thanë, BDI ua ka lënë shtetit dhe qytetarëve. Ata përsërisin qëndrimet kundër kësaj iniciative dhe zotohen se dalë ngadalë do ta largojnë shtetin nga ky projekt plotësisht.

“Koalicioni VLEN ka qenë i qartë që nga dita e parë: Ballkani i Hapur është një projekt pa vizion, apo me vizion që i ka shërbyer Vuçiqit dhe Vulinit dhe interesave të ngushta të BDI-së, në dëm të shqiptarëve, sidomos të Kosovës. Falë përpjekjeve tona të palodhshme, jo vetëm që kemi kufizuar dëmet e këtij projekti, por dalë nga dalë po e largojmë plotësisht shtetin tonë nga ky projekt i sjellur nga Ali Ahmeti dhe Artan Grubi. Kujtojmë BDI-në se Bujar Osmani dhe Artan Grubi më shpesh janë takuar me Vuçiqin dhe Daçiqin sesa me Albin Kurtin”, thonë nga VLEN.
Qëndrimet e kësaj Qeverie dhe Qeverisë së kaluar për Ballkanin e Hapur janë të ndryshme. /Alsat.mk
NGA INTERNETI