Çfarë do të thotë kjo marrëveshje për Gazën?
Hamasi përmes një komunikate për media ka konfirmuar se ka pranuar një armëpushim me Izraelin.
“Delegacioni ynë, i udhëhequr nga Khalil Al-Hayya, ka miratuar armëpushimin dhe shkëmbimin e të burgosurve”, thuhet në komunikatën e Hamasit.
Kjo informacion vjen pasi negociatat disa javëshe në Doha, me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-ve, arritën të afronin pozitat dhe të ushtronin presion për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza.
Kjo marrëveshje do të mundësojë që qindra mijëra njerëz të zhvendosur nga qyteti i Gazës dhe nga Gaza jugore të kthehen në shtëpitë, fshatrat dhe qytetet e tyre.
Një aspekt shumë i rëndësishëm për palestinezët është se marrëveshja përfshin lejimin e hyrjes në Gaza të 600 kamionëve me ndihma dhe pajisje mjekësore, duke përfshirë tendat, përmes kalimit të Rafahut.
Po ashtu, pritet që kjo të përfshijë 50 cisterna me karburant për të furnizuar spitalet që kanë mbetur në funksion, riparimin e termocentraleve, rinovimin e sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe fillimin e zgjidhjes së të gjitha problemeve me të cilat njerëzit po përballen për më shumë se një vit, shkruan cnn.
Zyrtarët të cilët janë të njohur me këtë marrëveshje kanë ndarë detaje shtesë me reuters. Duket se ka tre faza, ku faza e parë do të zgjasë gjashtë javë. Kjo fazë përfshin tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Gaza e mesme dhe kthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gazën veriore.
Marrëveshja parashikon që gjatë ndërprerjes së zjarrit në Gaza, do të lejohet hyrja e 600 kamionëve me ndihma humanitare çdo ditë, nga të cilët 300 do të dërgohen në veri. Hamas do të lirojë robër gjatë gjashtë javëve, tre çdo javë, ndërsa robërit e mbetur do të lirohen deri në fund të fazës së parë.
Ndryshe, marrëveshja tani duhet të miratohet edhe nga kabineti izraelit i sigurisë, ndërkohë që mediat izraelite njoftojnë se do të ketë një afat dy-ditor për dorëzimin e ankesave në Gjykatën e Lartë të Izraelit. /Telegrafi/