Bota

Fidan: Është koha që të gjitha grupet fetare dhe etnike në Siri të përqafohen me njëra-tjetrën

Shpërndaje

Është koha që të gjitha grupet fetare, etnike dhe sektare në Siri të përqafohen me njëra-tjetrën, tha sot ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë shtypi me Asaad Al-Shaibanin, ministër i Jashtëm i administratës së re siriane, Fidan deklaroi se Türkiye ofroi mbështetje operacionale për Sirinë në lidhje me grupin terrorist DEASH.

Ai njoftoi se Konsullata e Përgjithshme e Türkiyes në Halep do të jetë funksionale më 20 janar.

Nga ana e tij, Al-Shaibani vuri në dukje se Siria dhe Türkiye kanë shkruar “një histori të re”.

Duke nënvizuar rëndësinë e unitetit territorial të Sirisë, ai theksoi se duan që të gjitha territoret nën pushtetin qendror të bashkohen nën të njëjtën çati.

Administrata e re e Sirisë beson se nuk duhet të ketë asnjë kërcënim ndaj Türkiyes nga territori sirian, shtoi Al-Shaibani.

Bashar Asad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.