RajoniTop Lajme

Komisioni i Përbashkët për të Pagjeturit mblidhet për herë të parë të mërkurën në Bruksel, Hoti jep detaje

Shpërndaje

Më 15 janar në Bruskel do të mbahet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët me emisarin special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në lidhje me të pagjeturit e luftës.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti tha se ky takim ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur.

Hoti përmes një postimi në Facebook, po ashtu tha se delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyçe të cilat ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën ekanë adresuar tek presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Me datë 15 janar 2025, në Bruksel, do të mbahet takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët, i cili do të zhvillohet në nivel të zëvendësuesve. Në këtë takim, Z. Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues Delegacionit të Republikës së Kosovës. Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për qështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek Vuçiq, dhe çështje tjera të rëndësishme në këtë fushë. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar me 2 Maj 2023”, ka shkruar Hoti.