Kryeministri i Serbisë zyrtarisht jep dorëheqje
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, njoftoi të martën se jep dorëheqje nga posti.
Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarët në Beograd, ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar vendimin e tij.
“Unë besoj se politika që unë përfaqësoj, partia që unë drejtoj, duhet të demonstrojë nivelin më të lartë të përgjegjësisë dhe të futë norma të reja në politikën serbe, duke dëshmuar se është e përgjegjshme”, tha Vuçeviqi, njëherësh kryetar i Partisë Përparimtare serbe në pushtet.
Dorëheqja vjen pas valës së protestave që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se dy muaj.
Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.
Vuçeviqi tha se “pas ngjarjeve të mbrëmshme, dorëheqja nga posti i kryeministrit është vendim i parevokueshëm”.