Bota

Mbi 100 të vdekur nga sulmet izraelite në Gazë në 24 orët e fundit

Shpërndaje

Mbi 100 persona raportohet se janë vrarë nga sulmet që Izraeli kreu gjatë 24 orëve të fundit ndaj dhjetëra caqeve të Hamasit në Gazë, njoftuan autoritetet shëndetësore palestineze.

Sulmet po intensifikohen në kohën kur po bëhen përpjekje për të arritur një marrëveshje armëpushimi përpara se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump të marrë detyrën këtë muaj. Negociatorë izraelitë janë dërguar në Doha të Katarit për të rifilluar bisedimet, me ndërmjetës nga Katari dhe Egjipti, raporton Reuters.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka bërë të ditur se 27 persona u vranë herët të premten, ndërsa 71 u vranë një ditë më parë, duke përfshirë sulmet në Al-Mawasi, një zonë në Gaza qendrore e shpallur më parë si zonë e sigurt humanitare nga autoritetet izraelite.

Ushtria izraelite raportoi se ka goditur rreth 40 pika tubimi të Hamasit, si dhe qendra komandimi dhe kontrolli. Ushtria pretendon se ka marrë masa të shumta për të zvogëluar rrezikun e dëmtimit të civilëve, duke përfshirë përdorimin e municioneve të sakta, mbikëqyrjen ajrore dhe masa të tjera.

Forcat izraelite akuzojnë Hamasin për vendosjen e luftëtarëve në zona civile, duke përfshirë ndërtesat e përdorura më parë si shkolla. Hamasi hedh poshtë akuzat se përdor popullatën civile për t’i mbrojtur luftëtarët.

Të premten, ushtria urdhëroi civilët në zonën e al-Bureij në Gazën qendrore, që të evakuoheshin përpara një operacioni. Sipas urdhrit, banorët duhet të lëvizin në zonën humanitare për sigurinë e tyre.