MaqedoniTop Lajme

Ministria e Stoillkoviqit fyen Kosovën, reagon BDI: Fyerje ndaj gjithë shqiptarëve

Shpërndaje

Ministria për Marrëdhënie mes Bashkësive nën drejtimin e ministrit dhe zv.kryeministrit Ivan Stoillkoviq, quan Kosovën “Kosova dhe Metohija” në një publikim nga muaj më parë në faqen e tyre të internetit. Publikimi njofton për një aktivitet të ministrit dhe shkruan:

“Kampi sportiv i cili mbahet nga 1 deri më 11 gusht në Qendrën studentore të shkollës së mesme “Patriarku Pavle” në Beograd, këtë vit mbahet për të pestën herë radhazi. Pjesë e kampit, i cili është plotësisht falas, janë fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç, të ardhur nga Kosova dhe Metohija, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Republika Srpska, Italia, Franca, Gjermania, Austria, Kanadaja, Amerika, Australia, Hungaria, Sllovenia, Ukraina, Belgjika, Luksemburgu dhe Greqia”, thuhet në postimin e Ministria për Marrëdhënie mes Bashkësive.

Alsat u drejtua për sqarime në Ministri. Nga atje thonë se nuk bëhet fjalë për komunikatë por për lajm të bërë nga publikimi i ministrit.

“Kjo nuk është aspak komunikatë e dërguar deri te mediat. Por, është bërë lajm nga publikimi në profilin personal të ministrit në facebook. Aktiviteti është në muajin gusht”, thonë nga Kabineti i ministrit Ivan Stoillkoviq.

Nga kabineti nuk sqaruan se përse është publikuar në faqen zyrtare të ministrisë një qëndrim skandaloz që është edhe në kundërshtim me Kushtetutën. Ata këmbëngulin se lajmi është i vjetër. Qasjen e Alsat e quajtën dezinformuese.

Zv.kryeministri Izet Mexhiti nuk tregoi nëse në qeveri do të kërkohet përgjegjësi ndaj kolegut të tij për rastin konkret por tha se qëndrimi i koalicionit VLEN ndaj ministrit me etni serbe, është i qartë.

“Sa i përket Stoillkovit, ne e dhamë një porosi. Në momentin që u votua interpelanca asnjë deputet i VLEN-it nuk ishte aty. Ne nuk e mohojmë se Stoillkoviqi është përfaqësues i serbëve. Fatkeqësisht, e para, është përfaqësuesi i tyre. Nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptar dhe as të mendojë si ne. Por dallimi ndërmjet nesh dhe atyre të kaluarve është se me vetëiniciativë u bënë pejsë e Open Ballkanit i cili nuk e njihte Kosovën”, tha Izet Mexhiti, zv.kryeministër i parë.

Turp dhe poshtërim për Vlen-in dhe “Metohinë” e tyre politike, e quajnë nga BDI-ja qëndrimin e ministrit Stoillkoviq.

“Pra, ata që garuan në zgjedhje duke u mburrur me mbështetjen e një partie politike në Kosovë, sot e pranojnë dhe përdorin gjuhën e Beogradit! Ky është kulmi i degradimit të tyre politik dhe poshtërimi i radhës për VLEN-in. Kjo nuk është vetëm një fyerje për Kosovën, por edhe një tradhti e turpshme ndaj shqiptarëve që VLEN-i i mashtroi për të marrë votat e tyre.
Sot e pranojnë dhe përdorin gjuhën e Beogradit.
Kjo nuk është vetëm një fyerje për Kosovën, por edhe një tradhti e turpshme ndaj shqiptarëve”, thonë nga BDI.

Maqedonia njohu Kosovën si shtet menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Në ndryshimet kushtetuese të vitit 2019 për ndryshimin e emrit të vendit, Maqedonia shkroi Kosovën edhe në Kushtetutë, si një nga shtetet me të cilat vendi kufizohet./Alsat.mk