Osmani kujton Tahir Zemajn në 22 vjetorin e vrasjes: Vepra e tij vazhdon të frymëzojë brez pas brezi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar heroin e Kosovës, Tahir Zemaj, në 22-vjetorin e vrasjes së tij.
Osmani ka pohuar se heroi Tahir Zemaj, u vra pabesisht në hyrje të Pejës, së bashku me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin.
“Në 22-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë me respekt Heroin e Kosovës, Kolonelin Tahir Zemaj, ushtarakun e UÇK-së dhe njërin nga figurat më të shquara të luftës për liri. 22 vjet më parë, ai u vra pabesisht në hyrje të Pejës, së bashku me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin”, ka pohuar Osmani.
Tutje, presidentja ka deklaruar se vrasësit ende nuk janë ndëshkuar.
“Vrasësit, të cilët lanë pas tragjedinë dhe dhimbjen, ende nuk janë ndëshkuar. Kjo është një dhimbje që nuk mund të fshihet, një plagë që është ende e hapur”.
Osmani shton tutje se, vepra e kolonel Tahir Zemajt, si një udhëheqës i paepur dhe guximtar, vazhdon të frymëzojë brez pas brezi.
“Emri i kolonelit do të jetë gjithmonë simbol i sakrificës dhe i luftës për liri dhe pavarësi, ndaj zbulimi i autorëve të vrasjes dhe vënia para drejtësisë janë të domosdoshme. Nderim të përjetshëm për Kolonel Tahir Zemajn, Enisin dhe Hasanin”.