Palestina u kërkon të gjitha vendeve që të kundërshtojnë publikisht planet e zhvendosjes
Palestina u bëri thirrje të gjitha vendeve që të kundërshtojnë publikisht zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, transmeton Anadolu.
“U bëjmë thirrje vendeve të tjera që të nxjerrin me shpejtësi qëndrime të qarta publike duke refuzuar zhvendosjen e njerëzve tanë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e legjitimitetit ndërkombëtar”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.
Ajo ripohoi “refuzimin absolut të politikës së zhvendosjes”, duke e quajtur atë “një formë të neveritshme të spastrimit etnik që vjen si pjesë e përpjekjeve për të krijuar kaos politik dhe të sigurisë në një zonë konflikti dhe për të minuar sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe botës”.
Ministria bëri thirrje për “fillimin e menjëhershëm të marrëveshjeve të detyrueshme ndërkombëtare” për t’i dhënë fund pushtimit izraelit disadekadësh të tokave palestineze.
Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sugjeroi “pastrimin” e Rripit të Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve në Jordani dhe Egjipt, duke e përshkruar enklavën si “vend shkatërrimi”.
Amani dhe Kajro, megjithatë, hodhën poshtë çdo thirrje për zhvendosjen e palestinezëve.
Presidenti amerikan u tha gazetarëve sot se do ta diskutojë këtë çështje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili pritet të vizitojë SHBA-në “shumë shpejt”.
Propozimi i Trumpit erdhi pas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza dhe shkëmbimit të të burgosurve, e cila hyri në fuqi më 19 janar, duke pezulluar luftën që ka vrarë më shumë se 47.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Bombardimet brutale e kanë shndërruar pjesën më të madhe të zonës në rrënoja dhe kanë zhvendosur pothuajse të gjithë banorët e saj, mbi 2 milionë.