RajoniTop Lajme

Qeveria e Kosovës ndanë 500 mijë euro për ndihma humanitare në Gaza

Shpërndaje

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë 500 mijë euro për ndihma humanitare në Gaza, raporton Anadolu.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur paraditen e sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se e përshëndesin marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, si rezultat i së cilës mundësohet dërgimi i ndihmave për popullin palestinez.

“Për këtë qëllim Qeveria e Kosovës, Republika e Kosovës, do të ndajë gjysmë-milioni euro mbështetje për popullin palestinez në Gaza. Urojmë dhe bëjmë thirrje që ky armëpushim i përkohshëm të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme”, theksoi Kurti.

Kurti tha se konflikti i ashpër në Gaza ka shkaktuar humbje dhe dhimbje të mëdha për popullin palestinez, të cilët përpos humbjes së më të dashurve, pas kthimit të tyre po gjejnë edhe shtëpi, lagje dhe qytete të shkatërruara.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tregoi para kabinetit qeveritar procedurat e ndarjes së mjeteve, ku më pas kërkoi votën e kabinetit qeveritar marrë parasysh emergjencën për miratimin e këtij vendimi.

Që nga 7 tetori i vitit 2023, lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 47.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur më shumë se 111 mijë të tjerë.

Sulmet izraelite në Gaza gjithashtu kanë lënë më shumë se 11 mijë njerëz të zhdukur, me një shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.