Rama: Jemi i vetmi vend që po ulim çmimin e energjisë, Greqia e ka 3-fish më shtrenjtë se Shqipëria
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se çmimi i energjisë elektrike në Shqipëriv është ulur si askund tjetër rrotull nesh.
“Mos se e ulët shumë korentin, ç’bëni kështu? Talleni me njerëzit. E hanë sapunin për djathë”, ishte pyetja që Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet në në rubrikën “Sy m’Sy” në “Facebook”.
Ndërsa bëri një krahasim me disa nga vendet e rajonit dhe ata në Evropë përsa i përket çmimit të energjisë, u ndal te Greqia.
“Ulet çmimi i energjisë si askund tjetër rrotull nesh falë investimeve të bëra masivisht këto vite, rezultateve të arritura, por natyrisht dhe falë qasjes tonë lidhur me zotimin për t’i bërë njerëzit pjesë të suksesit të reformave dhe prapë se prapë, fjala e keqe fluturon pa të keq deri në përqeshjen e popullit që e haka sapunin për djathë”, tha Rama.
“Unë jam i bindur se Krenari jo vetëm se nuk e di se sa më e shtrenjtë është energjia elektrike atje ku jeton ai, në Greqi, por nga mënyra si flet, duket se bën pjesë tek ata që thonë “Shqipëria është vendi më i shtrenjtë i Europës”. Krenar, shikoji pak çmimet për kë/orë në Greqi dhe në Europë për konsumatorët familjarë. Shqipëria bie në 8.5 Lekë, Greqia është thuajse 3-fish, 22 për kë/orë, Italia 33 për kë/orë, Gjermania 40 për kë/orë dhe më e ulëta nga të tëra është Hungaria që prapë është 20% më lart se ne.
Në kategorinë deri në 700 kë/orë hyjnë mbi 1 milion konsumatorë familjarë, ndërsa mbi këtë kufi, janë më pak se 100 mijë konsumatorë, të cilët kanë shtëpi më të mëdha, kanë edhe të ardhura më të mëdha, edhe shpenzime më të mëdha të energjisë dhe prandaj do të paguajnë dhe më shumë se të tjerët. Vija jonë nuk lëviz, kush fiton më pak, paguan më pak, kush fiton më shumë, patjetër që do të fitojë më shumë”, shprehet Rama.