Sisi: Egjipti nuk do të jetë pjesë “e një akti padrejtësie” të zhvendosjes së palestinezëve
Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi deklaroi se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në asnjë zhvendosje të detyruar të palestinezëve, duke e quajtur atë “një akt padrejtësie në të cilën nuk mund të jemi pjesë”, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Kajro me presidentin e Kenias, William Ruto, Sisi përsëriti qëndrimin e vendosur të Egjiptit për çështjen palestineze.
“Parimet historike të pozicionit të Egjiptit ndaj Palestinës janë të panegociueshme”, tha Sisi, duke theksuar angazhimin e vendit të tij për një zgjidhje me dy shtete.
“Siguria kombëtare e Egjiptit nuk mund të rrezikohet. Ne jemi të vendosur të punojmë me presidentin Trump për të arritur një zgjidhje paqeje të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, shtoi ai.
Trump bëri thirrje këtë fundjavë për të “pastruar” Gazën dhe rivendosjen e palestinezëve në Egjipt dhe Jordani, duke e përshkruar enklavën si një “vend shkatërrimi” pas luftës gjenocidale të Izraelit.
Megjithatë, Egjipti dhe Jordania kundërshtuan fuqishëm çdo thirrje për zhvendosjen e palestinezëve nga toka e tyre.
Propozimi i presidentit amerikan erdhi pasi një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi në Gaza më 19 janar, duke pezulluar luftën izraelite që ka vrarë më shumë se 47.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 111 mijë që nga 7 tetori 2023.