MaqedoniTop Lajme

Tragjedia në Rashçe! Përse munguan mesazhet e ngushëllimit të presidentes dhe kryeministrit?!

Shpërndaje

Nga tri pozitat kyçe të shtetit, vetëm Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka dërguar mesazhe për Familjen Arsllani nga Gërçeci i Shkupit, me rastin e aksidentit të trafikut që mori jetën e katër anëtarëve të kësaj familjeje, informon Klan Macedonia.

Të paktën nëpër rrjetet sociale, mungojnë reagimet e Presidentes së vendit, Kryeministrit, por edhe liderëve të partive parlamentare të bllokut politik maqedonas.

Nëse hapni profilin zyrtar në Facebook të Presidentes Siljanovska, në faqen e parë do të shihni postimin e ditës së djeshme të orës 11:48, që ka të bëjë me mesazhet e ngushëllimit për qytetarët e Malit të Zi, me rastin e tragjedisë në Cetinje që mori 12 jetë njerëzish.

Padyshim se është një gjest që duhet përshëndetur, por ajo që duhet të thuhet është mungesa e empatisë apo të paktën dy rreshtave nëpër rrjete sociale për të ngushëlluar familjarët e Gërçecit.

E njëjta gjë ndodh edhe me Kryeministrin Mickoski. Në faqen zyrtare të Facebookut, krahas aktiviteteve në terren, mund të shihet një postim I publikuar pasditen e 2 janarit në orën 18.28, ku në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shpreh ngushëllime për tragjedinë në Cetinje të Malit të Zi.

As Kryeministri, por edhe as ata që e këshillojnë, nuk e panë të udhës, të paktën me dy fjalë të përpilojnë një mesazh ngushëllimi për familjarët por edhe gjithë të tjerët që u prekën thellë nga tragjedia e familjes Arsllani.

Nëse shfleton profilet zyrtare në Facebook edhe të liderëve partiak të bllokut maqedonas, do të ndodh e njëjta gjë. As Venko Filipçe i LSDM-së, as Maksim Dimitrievska nga Lëvizja “Znam” e as Dimitar Apasievi nga “Levica”, nuk kanë publikuar mesazhe ngushëllimi për tragjedinë në familjen Arsllani.

Shembullin e tyre, fatkeqësisht, e ka ndjekur edhe Kryebashkiakja e Shkupit, Danela Arsovska, aq më tepër kur Rashçe, Gërçeci, Saraji janë pjesë të Shkupit.

Ndryshe, me rastin e tragjedisë në Rashçe, liderët e partive politike shqiptare, pa përjashtime, kishin dërguar ngushëllime për Familjen Arsllani të Gërçecit, me mesazhe për durim dhe lutje dhe që Zoti familjes t’u dhurojë forcë për të përballuar këtë dhimbje.