Haxhi Shala dënohet me 3 vjet burgim, Bahtijari dhe Januzi me nga 2 vite
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që Haxhi Shala të dënohet me 3 vjet burgim ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vite duke u llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.
“Pasi janë shqyrtuar argumentet dhe provat e paraqitura nga palët, trupi gjykuës lëshon këto dënime; Z.Haxhi Shala dënohet me 3 vite burgim, z. Sabit JAnuzi dënohet me 2 vite burgim dhe Ismet Bahtijari dënohet me 2 vite burgim”, tha kryegjyqtarja Mappie Veldt-Foglia.
Ajo tha se marrëveshjet për pranimin e fajësisë janë pranuar dhe se tre të akuzuarit janë shpallur fajtor për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare si dhe frikësim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues iu konstaton ju fajtor për veprat e më poshtme në bazë të pikave 1, 2 të aktakuzës të 17 dhjetori 2024: Pengim i personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi të kryera ndërmjet 5 deri në 12 prill 2023… frikësim”, tha ajo.
Si rrjedhojë, u aprovua edhe marrëveshja për zhdëmtimet e cila do të ekzekutohet më së largu deri me 19 shkurt 2025. Pra, Shala do të paguaj 400 euro dhe Januzi 100 euro për viktimën ndërsa Bahtijari nuk obligohet të bëjë pagesa.
Januzi dhe Shala pajtohen që t’i paguajnë 500 euro zhdëmtim viktimës 1
Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari janë pajtuar që si zhdëmtim për viktimën 1 të paguajnë 500 euro.
Të akuzuarit pohuan se kanë arritur këtë marrëveshje dhe si rrjedhojë, 400 euro do t’i paguaj Shala, 100 euro Januzi, ndërsa Bahtijari nuk do të paguaj
Kryegjyqtares Mappie Veldt-Foglia tha se më 3 shkurt 2025 palët dorëzuan parashtrimin lidhur me zhdëmtimet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sabit Januzi, Haxhi Shala dhe Ismet Bahtijari pranuan fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe atë të frikësimit përmes një marrëveshje të arritur në mes tyre dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Kjo marrëveshje u arrit pak ditë para se të nisë gjykimi ndaj tyre në nëntor të 2024-ës. Shala ishte pajtuar për burgim me tri vite, Januzi me dy deri në dy vite e gjysmë, kurse Bahtijari për dy vite burgim.
Gjatë seancave për ndryshim të deklaratave të fajësisë, Bahtijari dhe Januzi ishin shprehur të penduar për krimet për të cilat e pranuan që i kanë bërë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Sa i takon aspektit procedural, më 8 shkurt 2024, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.
Në vendimin për bashkimin e aktakuzave thuhet se, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale, duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se, vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike. Si rrjedhojë, u vendos që çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.
Megjithatë, akuza të reja u shtuan edhe për Bahtijarin dhe Januzin për frikësim përmes premtimit apo dhuratës. Këto akuza u përfshinë në aktakuzën e përbashkët ndaj tre të akuzuarve si dhe ndryshimet në atë u konfirmuan me 8 korrik 2024. Si rrjedhojë, ZPS-ja kishte dorëzuar më 10 korrik aktakuzën e përbashkët së bashku me ndryshimet përkatëse.
Ashtu sikurse për akuzat paraprake, Bahtijari dhe Januzi ishin deklaruar të pafajshëm. Kjo situatë ndryshoi edhe datat që ishin vendosur për kalimin e çështjes te trupi gjykues, ku fillimisht ishte caktuar data 21 qershor, pastaj 5 dhe 22 korrik.
Vlen të theksohet se, Shala kishte kërkuar që procesi i tij të ndahet nga Bahtijari dhe Januzi, në mënyrë që të ketë një gjykim më të përshpejtuar, por kjo kërkesë ishte refuzuar.
Çështja ndaj këtyre tre të akuzuarve i kaloi trupit gjykues më 4 shtator, ku më pas, në seancat përgatitore, u vendos që gjykimi të fillojë me 14 nëntor 2024. Por, me kërkesën e palëve për t’i finalizuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë, gjykimi u shty.
Më 13 nëntor, ZPS-ja informoi trupin gjykues që kanë arritur marrëveshjen e pranimit të fajësisë me tre të akuzuarit dhe, më 6 dhjetor, ZPS-ja kishte dorëzuar versionin e rishikuar të aktakuzës, ashtu siç kishte urdhëruar trupi gjykues, duke përfshirë edhe marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Në aspektin procedural, marrëveshjet e arritura mes Shalës dhe Januzit ishin pranuar, kurse ajo e Bahtijarit u cilësua se kishte mangësi procedurale.
Megjithatë, më 16 dhjetor, palët kishin informuar trupin gjykues se kishin arritur një marrëveshje të re të fajësisë me Bahtijarin dhe ia dorëzuan atë trupit gjykues. Lidhur me këtë, palët kishin dorëzuar më 17 dhjetor 2024 aktakuzën e rishikuar, e cila në bazë ishte ajo e 10 korrikut 2024, por përfshinte edhe ndryshimet e bëra të asaj të 17 dhjetorit lidhur me marrëveshjet për pranimin e fajësisë.
Si rrjedhojë, në seancën e 18 dhjetorit, Shala dhe Januzi u deklaruan fajtorë për krimet që kanë kryer si dhe u pranua proceduralisht marrëveshja e arritur mes ZPS-së dhe Bahtijarit. Ndërsa, më 19 dhjetor Bahtijari u shpreh i penduar dhe fajtor.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar më 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit dhe atë të Haxhi Shalës.
Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtijari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gjithashtu, më 8 korrik janë bërë ndryshime në aktakuzën e përbashkët ku janë shtuar akuzat ndaj Bahtijarit dhe Januzit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës, e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup./BetimipërDrejtësi