E paqartë nëse Lista Serbe i fitoi të dhjetë vendet në Kuvendin e Kosovës
Për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe mund të mbetet pa të dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, pasi, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një vend parlamentar mund t’i takojë Nenad Rashiqit, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Rashiq, në dy vjetët e fundit, ishte ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, i cili e emëroi pasi Lista Serbe doli nga institucionet e Kosovës.
Me 93 për qind të votave të numëruara nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetje absolute nga Beogradi zyrtar – siguroi rreth 30.485 vota, ose 3.88 për qind të totalit, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë mori rreth 3.428 vota, ose 0.44 për qind.
Sipas rezultateve aktuale, Lista Serbe e humbi mbështetjen e gati 15 mijë personave, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Rashiq, në anën tjetër, e rriti mbështetjen për rreth 2.000 vota.
Situata, megjithatë, mund të ndryshojë pas numërimit të votave me kusht, sepse në atë grup janë kryesisht votat e personave të zhvendosur, të cilët shkuan për të votuar në Kosovë nën organizimin e Komisariatit për Refugjatë të Republikës së Serbisë dhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Subjektet tjera politike nga komuniteti serb, që morën pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk do të hyjnë në Kuvendin e Kosovës.
Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit mori rreth 1.700 vota, Lëvizja Popullore Serbe e Branimir Stojanoviqit mori rreth 1.405 vota, Nisma Qytetare Drejtësia Popullore mori rreth 597 vota dhe Partia e Serbëve të Kosovës mori 348 vota./REL