RajoniTop Lajme

Familja e Thaçit i reagon Speciales pasi nuk ia lejuan vizitën: Refuzimi është vetëm politik

Shpërndaje

Një tjetër JO e ka marrë ish-presidenti Hashim Thaçi në kërkesën për t’u kthyer në Kosovë e të vizitojë babanë e tij të sëmurë.

Familja e tij, refuzimin e radhës nuk e ka pritur mirë, derisa përmendin se gjendja e Haxhi Thaçit ka shkuar duke u përkeqësuar.

Idriz Thaçi, vëlla i ish-drejtorit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, në një përgjigje me shkrim për Dukagjinin, kritikon specialen për vendimin, të cilin e konsideron jonjerëzor e politik.

“Babës i është përkeqësuar sërish gjendja shëndetësore dhe ai vazhdimisht po kërkon të flas me Hashimin, ta shoh atë. Kjo është e hera e tretë që po hospitalizohet brenda një periudhe të shkurtër dhe gjendja e tij çdoherë e më shumë po përkeqësohet. Përballë kësaj gjendjeje, refuzimi i vizitës së vëllait tonë nga ana e Dhomave të Specializuara është johuman, i padrejtë dhe shkelje e të drejtave të tij. Nuk ka procedurë apo rregullore që nuk ia mundëson vizitën, prandaj ky refuzim është vetëm politik”, ka thënë Thaçi.

Gjykata Speciale, njoftoi një ditë më parë, se sërish ka refuzuar kërkesën, e dytë që Hashim Thaçi, ka bërë përmes avokatëve, për të qëndruar në Kosovë, duke thënë se ka alternativa të tjera që ai të jetë në kontakt me babanë e tij.

“Trupi gjykues e ka refuzuar kërkesën e z.Thaci për këtë vizitë sepse situata e babit të z.Thaçi nuk ka ndryshuar dhe për këtë arsye nuk janë krijuar kushte për të lejuar vizitën në mbikëqyrje”, ka thënë zëdhënësi i Speciales, Michael Doyle.

Nga Fondi për të Drejtën Humanitare thonë se, një kërkesë e tillë do duhej të aprovohej, meqë procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve tashmë është drejtë perfundimit, dhe arsyet janë humanitare.

“Më nuk ka arsye që dikush të ndikonte në dëshmitarë sepse tashmë dëshmitarët e prokurorisë nuk do të ftohen për tu dëgjuar dhe tani vjen radha tek palët e tjera, që të ftojnë dëshmitarët e vetë, por edhe kur mundësohet ajo vizita personat që janë nën ëprcjelle ata skanë kontakte me persona të tretë as nuk japin deklarata për media dhe janë nën përcjellje dhe kanë kontakt me familjarët e ngushtë…”, ka thënë Amer Aliaj.

Hashim Thaçi, i cili është në paraburgim nga vitit 2020, nën akuza për krime lufte e krime kundër njerzimit, kishte qëndruar në Kosovë në maj dhe në shtator të vitit 2023, kur pikërisht për arsye shëndetësore të prindërve të tij, i ishin lejuar vizitat.

Dhomat e Specializuara, së voni kanë konfirmuar edhe aktakuzën e dytë ndaj Thaçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.