Greqia shpall gjendje të jashtëzakonshme në Santorini për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm sizmik
Greqia shpalli sot gjendje të jashtëzakonshme për Santorinin, pikën qendrore të aktivitetit sizmik që po vazhdon në jug të Detit Egje që nga 1 shkurti, transmeton Anadolu.
Gjendja e jashtëzakonshme do të qëndrojë në fuqi deri më 3 mars, njoftoi Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile në një deklaratë.
Ndërkohë, aktiviteti sizmik po vijon në zonën detare mes ishujve Santorini dhe Amorgos me të njëjtën frekuencë si ditët e mëparshme, raportoi transmetuesi publik ERT, duke shtuar se disa zona në Santorini janë të rrethuara për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të dheut.
Transmetuesi tha se një ekip inxhinierësh nga Athina ka mbërritur në ishull për të inspektuar ndërtesat publike dhe objektet shkollore.
Ndërkaq, Efthymios Lekkas, ekspert i gjeologisë, beson se mundësia e një tërmeti mbi 6 ballë sipas shkallës Rihter po zbehet.
“Skenari më i mundshëm, megjithatë, është që aktiviteti sizmik të vazhdojë për disa ditë ose javë me të njëjtin intensitet, me të njëjtin ritëm, domethënë shumë tërmete”, ka deklaruar ai.