Maqedoni

Janevska: Përmes aplikacionit celular prindërit do të ndjekin progresin arsimor të fëmijëve të tyre

Shpërndaje

Aplikacioni celular i zhvilluar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës u mundëson prindërve dhe kujdestarëve të nxënësve qasje të thjeshtë në ditarin elektronik dhe në këtë mënyrë lehtësisht dhe në baza ditore të ndjekin progresin arsimor të fëmijëve të tyre.

Për këtë risi sot në konferencë për media informoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, e cila theksoi se aplikacioni mundëson vështrim në orarin dhe përmbajtjen e orëve mësimore të nxënësve, rregullsinë e orëve – mungesat e arsyetuara dhe të paarsyetuara, detyrat e shtëpisë notat e marra dhe dëftesat e lëshuara.

“Aplikacioni mund të shkarkohet në ednevnik.edu.mk ose përmes banerit të vendosur në ueb faqen e Ministrisë dhe të instalohet në çdo pajisje smart, telefon celular apo tablet, pavarësisht nga lloji i sistemit operativ. Është i thjeshtë për t’u përdorur dhe duke u kyçur dhe duke autentikuar me të njëjtin emër përdoruesi dhe fjalëkalim që aktualisht përdorin për të hyrë në ditarin elektronik, mbi 200 mijë prindër dhe kujdestarë, aq sa janë regjistruar deri më tani, mund të kenë qasje të shpejtë në informacione për procesin arsimor të fëmijëve të tyre në çdo kohë”, tha Janevska.

Ministrja theksoi se të gjitha të dhënat që janë futur në ditarin elektronik, arkivohen dhe përdoruesi i aplikacionit ka pasqyrë për të dhënat nga viti aktual, por edhe nga çdo vit shkollor i mëparshëm.

“Tani më kemi testuar dhe verifikuar funksionalitetin e aplikacionit. Jam e sigurt se do të jetë shumë i dobishëm, sepse nuk ka prind apo kujdestar që nuk është i interesuar të ndjekë dhe të marrë pjesë në arsimimin e fëmijës së tij. Përgjegjësia për edukimin e të rinjve është e përbashkët dhe e njëjtë si për institucionet po ashtu edhe për familjet e nxënësve ”, theksoi ministrja.

Janevska po ashtu theksoi se për çdo mbështetje të përdoruesit gjatë hyrjes, fjalëkalimin e harruar ose sqarime shtesë në lidhje me përdorimin e aplikacionit të ri, ekipi i ekspertëve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është i disponueshëm në çdo kohë në adresën [email protected].

Me qëllim të zvogëlimit të punës administrative të mësimdhënësve, Janevska informoi se të dhënat nga ditari elektronik do të shtypen vetëm një herë në vit, përkatësisht në fund të vitit shkollor, në vend se në baza mujore siç ishte deri më tani.