RajoniTop Lajme

Kosova i bashkohet bojkotit ndaj supermarketeve për shkak të rritjes së çmimeve

Shpërndaje

Një grup qytetarësh në Kosovë nga e hëna pritet t’i bashkohen bojkotit ndaj supermarketeve të nisur tashmë në disa vende të Ballkanit për shkak të, siç thonë organizatorët, çmimeve të larta, transmeton Anadolu.

Për këtë bojkot është organizuar një grup qytetarësh në rrjetet sociale, të cilët u bëjnë thirrje qytetarëve që ta mbështesin këtë iniciativë për bojkot në Kosovë më 10 shkurt.

Sipas tyre, është koha që organet kompetente të reagojnë për situatën ekonomike që po shkakton çmime të larta. Ata deklarojnë se disa produkte bazë janë më të lira në vendet evropiane se në Kosovë.

Siç raportojnë mediat e vendit, kjo nismë është mbështetur edhe nga njohës të ekonomisë dhe nga shoqata “Konsumatori”, e cila vlerëson se “epoka e mashtrimeve dhe e çmimeve spekulative ka mbaruar”.

Më shumë detaje për këtë nismë ka dhënë për “KosovaPress” një nga themeluesit e iniciativës, Xhevat Kastrati. Ai ka theksuar se qëllimi kryesor është të krijohet një platformë ku qytetarët mund të shprehin ankesat e tyre për çmimet e larta.

Sipas tij, deri më tani janë rreth 5 mijë persona të anëtarësuar në grupin “Kosova Bojkoton”, porse mbështetje pret edhe nga një masë më e gjerë.

Ndryshe, bojkoti ndaj supermarketeve nisi fillimisht në Kroaci dhe u përhap në vende të tjera të Ballkanit në fund të muajit të kaluar, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Shqipërinë.