RajoniTop Lajme

Kosovë, Kurti kandidati më i votuar për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit

Shpërndaje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar numrin e votave që kanë fituar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, pas numërimit të mbi 90 për qind të votave në vendvotime, transmeton Anadolu.

Sipas rezultateve të deritanishme, pa numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga jashtë Kosovës, nga kandidtatët për kryeministër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është më i votuari me 259.532 vota të grumbulluara.

Pas Kurtit. i cili aktualisht është kryeministër në detyrë, kandidati i dytë më i votuar është Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 150.294 vota, ndërsa kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, mori 85.293 vota.

Kandidati i tretë më i votuar për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit është Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me 109.202 vota.

Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidat për kryeministër, mori 37.752 vota.

Lideri i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, Zllatan Ellek, mori 9.354 vota.

Personi më i votuar në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë vazhdon të mbetet presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e vitit 2021, siguroi 300.756 vota.

Partia e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka dalë e para në këto zgjedhje, me 40,80 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22,03 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17,63 për qind të votave, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka marrë 7,46 për qind të votave, si dhe Lista Serbe 4,61 për qind të votave.

Gjatë ditës së sotme, KQZ-ja bëri të ditur se ka numëruar 92,73 për qind edhe të votave për kandidatët për deputetë. Me rezultatet preliminare, LVV ka siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK ka marrë 25 ulëse, LDK 20 ulëse, ndërsa AAK dhe NISMA tetë.

Minoritetet kanë gjithsej 20 vende të rezervuara, prej tyre dhjetë për minoritetin serb dhe dhjetë për minoritetet jo-serbe në Kosovë.