Kuvendi i Ukrainës e miraton rezolutën për legjitimitetin e Zelenskyt, s’ka zgjedhje në luftë
Kuvendi i Ukrainës ka miratuar një rezolutë që e afirmon legjitimitetin e Volodymyr Zelenskyt si president dhe që konfirmon se mbajtja e zgjedhjeve nuk është e mundshme derisa të përfundojë lufta.
Kjo rezolutë është në kundërvënie me presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, Donald Trump e Vladimir Putin, të cilët kanë lënë të kuptohet se Zelensky është president jolegjitim për shkak se nuk ka mbajtur zgjedhje gjatë luftës me Rusinë, raporton “ABC News” në gjuhën angleze.
Zelensky tha të dielën se do të jepte dorëheqje nga posti i presidentit, nëse ky veprim do të nënkuptonte paqe për Ukrainën, duke shtuar se do ta ndërmerrte këtë hap, nëse Kievit do t’i ofrohej anëtarësimi në NATO.
Kuvendi i Ukrainës theksoi të martën se Zelensky është zgjedhur përmes zgjedhjeve legjitime dhe se mandati i tij nuk vihet në dyshim. Kuvendi gjithashtu tha se nuk mund të mbahen zgjedhje derisa të shfuqizohet ligji luftarak pas ardhjes së “paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”.
Zelensky ishte zgjedhur president përmes një fitoreje dërrmuese më 2019, por mandati i tij skadoi në majin e vitit të kaluar. Ukraina e ka në fuqi ligjin ushtarak dhe kushtetuta e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve në kohën kur ky ligj është në fuqi, përcjell gazeta “Nacionale”.
Shumica e ukrainasve, përfshirë parti të rëndësishme opozitare, pajtohen se mbajtja e zgjedhjeve në luftë nuk është e mundshme, sepsemiliona ukrainas janë jashtë vendit si refugjatë, ndërsa qindra mijëra të tjerë duke luftuar.
Zgjedhjet gjithashtu do të mund të ishin mundësi për Rusinë që ta përçajë Ukrainën në kohën kur ajo po mundohet ta mbrojë veten.
Deputetët ukrainas e miratuan rezolutën të martën gjatë përpjekjes së dytë, pasi përpjekja e parë të hënën nuk mori vota të mjaftueshme.
Oleksandr Merezhko, deputet që e përfaqëson partinë e Zelenskyt, tha se votimi i së hënës dështoi, sepse në sallë ishin të pranishëm shumë pak ligjvënës të partisë së presidentit.
“Ishte e hënë, kur shumë anëtarë të Kuvendit ende nuk kishin ardhur nga distriktet e tyre” – tha ai. Të martën, një numër i mjaftueshëm i deputetëve ishin të pranishëm për miratimin e rezolutës pa ndonjë problem.