Maqedoni

Mickoski: Investime prej 55 milionë euro në energjetikë për energji elektrike për mbi 20 mijë amvisëri dhe mbrojtje të mjedisit jetësor

Shpërndaje

Të nderuar përfaqësues të mediave,

I nderuar opinion maqedonas,

Investimet në energjetikë janë prioritet dhe me rëndësi kapitale.

Sot, zyrtarisht shënojmë fillimin e një procesi që nënkupton ndërtimin e dy projekteve thelbësore në sektorin energjetik. Faza e dytë e parkut me erë Bogdanci si dhe ndërtimi i centralit fotovoltaik Manastir 2.

Për këtë qëllim, sot u nënshkrua marrëveshja midis SHA EMV dhe bankës së zhvillimit KfW për ndërtimin e këtyre dy kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Investimi ka vlerë prej 55 milionë euro, nga të cilat 47.3 milionë euro janë për centralin fotovoltaik Manastir 2, ndërsa për fazën e dytë të parkut me erë Bogdanci, investimi është 7.7 milionë euro.

Manastir 2 do të ndërtohet brenda kuadrit të KXE Manastir dhe do të ketë kapacitet të instaluar prej 50-60 MW. Pritet që ky central elektrik të prodhojë rreth 80-90 GWh energji elektrike në vit, natyrisht në varësi të rrezatimit diellor, gjë që është e mjaftueshme për rreth 20 mijë amvisëri.

Përsëris, do të prodhohet energji elektrike për rreth 20,000 amvisëri, duke reduktuar emetimin e dioksidit të karbonit me 63,000 tonë në vit.

Me fazën e dytë të ndërtimit të parkut me erë Bogdanci, parashikohet ndërtimi i katër turbinave shtesë me erë, duke rritur kapacitetin e instaluar për 13.6 MW të tjera, kështu, kapaciteti i përgjithshëm i instaluar, së bashku me fazën e parë të projektit, do të kalojë 50 MW, duke siguruar prodhim shtesë në vit prej 37 GWh energji të gjelbër.

Falënderim për bankën dhe partnerët gjermanë për mbështetjen dhe ndihmën e tyre.

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë mënyrë, luftojmë për pavarësi më të madhe energjetike dhe efikasitet më të lartë. Nëse në të kaluarën dhe nga qeveritë e mëparshme energjetika ishte një fushë për krim dhe korrupsion, për ne kjo është një fushë ku duhet të përveshim mëngët dhe të punojmë intensivisht, sepse përmes energjetikës ndërtohet edhe e ardhmja jonë e përbashkët. Investime prej 55 milionë eurosh në energjetikë për energji elektrike për më shumë se 20 mijë amvisëri dhe për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Në këtë mënyrë, shteti kujdeset për secilin prej jush.