“Ngjarjet e tmerrshme të 3-4 shkurtit 2000″/ Serbët vranë 10 shqiptarë në Mitrovicë dhe dëbuan mijëra të tjerë, Vjosa Osmani: Të vendoset drejtësit
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kujtuar netët e tmerrit që kanë përjetuar qytetarët në pjesën veriore të Mitrovicës, më datë 3 dhe 4 shkurt 2000, ngjarje ku kanë humbur jetën 10 qytetarë shqiptarë të pafajshëm.
“Në përvjetorin e 25-të, kujtojmë dy netët e tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në pjesën veriore të Mitrovicës, nderojmë me respekt të thellë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, në mesin e të cilëve pleq, gra dhe fëmijë – që u vranë mizorisht nga bandat kriminale të nxitura nga Serbia. Në këtë sulm brutal u plagosën edhe 24 qytetarë, të cilët janë dëshmi e barbarisë së atyre dy netëve”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka thënë se dëshmi e dhimbshme janë edhe 1,564 familje, me gjithsej 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre, duke dëshmuar qartë përpjekjet për spastrim etnik në këtë pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.
“Këto ditë janë një kujtesë e fuqishme e rezistencës dhe përpjekjes për të qëndruar në vatrat e tyre, por edhe e nevojës për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë. Drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i autorëve të këtyre krimeve mbeten një domosdoshmëri për paqen e qëndrueshme. Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët e vrarë me 3-4 shkurt!”, thotë Osmani.
***
Sot mbushen 25 vjet nga masakra mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, ku të ashtuquajturit ‘Rojat e urës’ të përbërë nga shtetas serbë vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.