RajoniTop Lajme

Parlamenti Evropian kërkon heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Shpërndaje

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka përgatitur draft-raportin vjetor për situatën në Kosovë dhe progresin e saj drejt BE-së, i cili do të paraqitet nesër në një seancë të Komisionit të Politikës së Jashtme të PE-së. Ky draft-raport vlerëson përkushtimin e Kosovës për integrim në BE dhe thekson se e ardhmja e Kosovës është në BE. Në këtë draft-raport edhe një herë kërkohet që Bashkimi Evropian t’i heqë masat të cilat i ka vendosur ndaj Kosovës.
Nesër para Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian do të paraqitet draftraporti për Kosovë të cilin e ka përgatitur Riho Terras, që është raportues i ri i Parlamentit Evropian për Kosovën.

Në këtë draftraport vlerësohet përkushtimi i Kosovës për t’u integruar në Bashkimin Evropian, përkushtim që reflekton edhe qëllimin e qartë gjeopolitik dhe mbështetjen e fuqishme të qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu, thuhet se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe përpjekjet për ta nxjerrë Kosovën nga një zonë gri është në interes të përbashkët edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian.

Prandaj, në këtë draftraport mbështetet edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropiandhe përsëritet ftesa që vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë pa vonesa të reja.

Kjo thirrje përsëritet gjithmonë nga ana e Parlamentit Evropian në raportet dhe rezolutat për Kosovën, por vendet anëtare deri tash nuk e kanë përfillur një thirrje të tillë. Në këtë draftraport edhe një herë kërkohet që Bashkimi Evropian të heqë masat të cilat i ka vendosur ndaj Kosovës.

“Ftojmë për heqjen e menjëhershme të masave të bërjes ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyetueshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përshtatjet me politikën e BE-së”, thuhet në këtë draftraport.

Parlamenti Evropian edhe me këtë mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe qëllimin e Kosovës për t’u bërë po ashtu pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Në këtë dokument shprehet shqetësim për situatën e sigurisë në veri të Kosovës posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Shprehet shqetësim për faktin se Serbia nuk ka nxjerrë akoma para drejtësisë kryerësit të këtij sulmi terrorist, përfshirë edhe ish-zëvendëspresidentin në Listë Serbe, Millan Radoviqiq, që është përgjegjës kryesor për këto sulme.

Në draftin e raportit shprehet mbështetja edhe për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës dhe përshëndetet edhe emërimi i Peter Sorencenit në postin e të dërguarit të posaçëm për dialog.

Kosova, sikur edhe Serbia, ftohen për t’u përmbajtur nga veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione dhe po ashtu, që t’i qasen procesit të dialogut në mënyrë konstruktive.